10.4.08

Mrekullia e patriotizmit estetik

Patriotizmi estetik nuk është parullë, miting, revolucion, fjalim apo tribunë, por art i madh

Patriotizmi estetik. Po, ky është një term i goditur. Pyetja është: a janë artistët atdhetarë? Historia botërore e artit na bën me dije se është pak të thuhet se artistët janë atdhetarë. Pra, janë, kjo është e sigurtë, e janë edhe në rastin kur ata as që janë të vetëdijshëm për këtë. Një artist nuk thotë: unë jam atdhetar, e prej këtu duhet të bëj vepra në shërbim të kombit tim. Një artist kërkon të bëjë vepra e, shpeshherë, edhe në mënyrë të pavetëdijshme, ai ia del të shndërrohet në një llambë që e ndriçon atmosferën historike të kombit të vet. Por ç’është patriotizmi për një artist? Në të shumtën e rasteve nuk është parullë, slogan, protestë sociale, revolucion masash, pjesëmarrje në luftë, miting apo fjalim i ndezur përpara turmave. Sigurisht, as kjo nuk mund të përjashtohet, sepse kemi jo pak prej tyre që janë vënë në krye të lëvizjeve të mëdha shoqërore, të cilat kanë transformuar shoqërinë dhe mendësinë e saj. Artistët nuk mjaftohen gjithashtu as me krijimin e veprave që lartësojnë dashurinë për atdheun. Është bukur kur krijohen këto vlera, sepse e lartësojnë identitetin e tyre. Përshembull, piktura që titullohet me sa mbaj mend “Pushkatimi i 3 majit” i Francisko Gojës, është një revoltë e madhërishme patriotike, por ama në të njejtën kohë është edhe një britmë rrënqethëse mbarënjerëzore. Po kështu mund të thuhet edhe për “Guerrnikën” e Pikasos. Por, mandej një gjë është e sigurtë: të gjithë pyesim se nga është piktori. Këtu kemi të bëjmë me patriotizëm, por ama estetik, gjë që e zgjeron jashtëzakonisht shumë perimetrin e një ndikimi mbarëkombëtar. Pothuaj e tërë vepra e V. Hygo është patriotike, sepse mund të lexohet si thirrje për një Francë ndryshe. Kjo është e qartë. Po, përveç kësaj, vepra e tij duhet lexuar edhe si tekst shumë i mirë që të kënaq shijet estetike. Por në të njejtën kohë na përshkruan kulturën franceze, a thua se përpiqet të na thotë: “Ja Franca ime!”. Po ashtu mund të përmendim tablonë “Liria mbi barrikadë” të Delakrua, vepër drejpërdrejt patriotike, sigurisht, por që mesazhet i përcjell me metoda të kthjellta estetike. “Don Kishoti i Mançës” duhet konsideruar për spanjollët një vepër shumë patriotike, sepse ngjarjet janë vendosur në mjedise spanjolle. Me këtë rast Servantes na ofron edhe larminë e harlisur të kulturës spanjolle, duke u thënë të tjerëve: “Ja, kjo është Spanja!”. Edhe “Uliksin” e Xhojs e shoh thelbësisht si një përmendore kushtuar Dublinit, pavarësisht asaj që të tjerët mund të kuptojnë me veprën e tij. E vërtetë që përroi i tij psiqik rrjedh brënda vetëm një dite, por ama të një dite e pafundme dhe përtejkohore, mbi të gjitha irlandeze. Pavarësisht se britma e tij “Ja Irlanda!” që është e qartë për lexuesin e mirë, mund të lexohet edhe si “Ja njeriu!”, por Irlanda vjen e para. Në një nivel tjetër gjykimi, mendoj se çdo vepër e madhe është domosdoshmërisht dhe pashmangshmërisht patriotizëm estetik. Lui David është piktor i oborrit të Napoleon Bonapartit të cilin një pjesë e francezëve mund ta quajnë diktator, luftënxitës, pushtues, etj, por ama vepra e piktorit që realizon në telajo kurorëzimin e tij mund të konsiderohet patriotike prej francezëve jo thjesht për faktin se pasqyron momente historike por sidomos pse është realizuar mjeshtërisht. Për rusët, Tolstoj është një patriot i madh, çka se ai vetë nuk kishte nevojë të bërtiste nëpër sheshe: “Rroftë Rusia”, etj. Është vepra e tij që e oshëtin me tërë forcën vitalitetin kulturor dhe shpirtëror të popullit rus. Mjafton “Lufta dhe Paqja” për të na bindur për këtë. Edhe poezia imazhiniste e Esenin këtë na thotë, sa herë që përshkruan mështeknat dhe peisazhet ruse.

Shembujt që mund të merren nga arti botëror janë të pafundëm. Në vijim mendoj se, nëse ne ndodhemi përpara një vepre arti si, pikturë, skulpturë, libër, arkitekturë, partiturë, etj. dhe ndjehemi të goditur nga fuqia e tyre artistike, do të donim saora të merrnim vesh se nga ka qenë filan artist. Çasti kur ne përmendim kombësinë e tij sendërton patriotizmin estetik të autorit. Pra, mjafton që artisti të realizojë një vepër të madhe, çfarëdo qoftë ajo, dhe çilembyll sytë ai shndërrohet në një patriot estetik.

Edhe në vendin tonë nuk kanë munguar artistët që kanë dëshmuar patriotizëm estetik. Nuk flas për poetë, piktorë apo muzikantë që me vdekjen kanë mbetur thjesht patriotë, po për artistë të vërtetë që patriotizmin e tyre e kanë shprehur me mjete artistike. Pjetër Bogdani ëshë një patriot i vërtetë estetik, sepse vepra e tij rron. Sibilat janë dëshmi e pashlyeshme. Them se në kohën që i shkruante ato, ai burrë gjendej në të njejtin nivel vetëdijeje estetike me poetë të kombeve tjera. Edhe Çeta e Profetëve është gjithashtu shprehje e patriotizmit estetik, sepse është një vepër jetëgjatë që do të na shoqërojë nëpër kohëra, sepse është një pasaporta jonë historike. Po ashtu edhe shkrimtarët e tjerë të letërsisë së vjetër janë patriotë estetikë, pavarësisht faktit nëse kanë shkruar apo jo drejtpërdrejt për atdheun. Në këtë rast ajo që atdheu trashëgon është vepra. I madhi Jeronim De Rada është një patriot thellësisht estetik. Sepse ai jo vetëm që shkruan për botën shqiptare, por edhe shkruan mrekullisht bukur nga ana artistike. Nuk besoj se kemi një artist të tillë që i ndërthur kaq hijshëm të dy kriteret. Nëse ka një tjetër artist që i afrohet për nga shkrirja harmonike e këtyre dy elementeve, ai është padyshim At Gjergj Fishta me “Lahuta e Malcis”. Me këtë rast vlen të përmendim edhe Ernest Koliqin me tregimet e tij ende sot të mrekullueshme, Migjenin me poezitë dhe prozat e shkurtëra, Lasgush Poradecin, Martin Camajn me poezinë e edhe prozën, Ali Asllani me kangët e tij të dashurisë për vashën shqiptare, Frederik Rreshpjen, Azem Shkrelin, etj. Nën pikëpamje të tjera vlerësimi, mund të themi se të gjithë autorët shqiptarë që na lanë një vepër të cilën mund ta lexojmë ende sot, janë patriotë të vërtetë estetikë. Edhe në rastet kur nuk i kanë mëshuar patriotizmit si qëllim më vete, ata janë kanë dalë të na përcjellin vepra që e madhërojnë gjeninë e racës shqiptare.

Por, ajo që më ka bërë vërtetë përshtypje kohët e fundit janë dy vargje të Lasgush Poradecit dhe tre të Frederik Rreshpjes. Të para nën dritën e argumentit që po trajtojmë, më janë dukur si të shkruara nga e njejta dorë. Kjo më ka bërë të besoj se të mëdhenjtë tanë janë të ngjashëm, sepse e shohin botën shqiptare nga i njejta lartësi dhe me të njejtën vatër ndjeshmërie.

Lasgushi thotë: “Duke nisur udhëtimin mespërmes në Shqipëri/ Drini plak e i përrallshëm po buron prej Shën Naumi”. Madhështore! Shqipërinë e Lasgushit nuk e ndan më dysh as Vjosa, as Shkumbini e as Erzeni, por Drini, Drini plak e i përrallshëm. Kjo është forma më e shkëlqyer dhe më elegante e patriotizmit estetik. Mesazhi duket i tërthortë e njëkohësisht shumë i qartë.

Frederik Rreshpja thotë: “Nga dyert e legjendave del Basio/ Samurai i tankave/ Dhe mban vesh Eposin e Kreshnikëve”. E mahnitshme. Një formë jashtëzakonisht fine. e ambël dhe e butë për të realizuar patriotizmin estetik. Basio është i madh, sepse është mjeshtri i tankave, por, megjithatë, ai mahnitet nga Eposi Shqiptar i Kreshnikëve.

Po!, ndoshta këto pesë vargje që paraqitëm janë shkruar vërtetë nga e njejta dorë, nga dora e artistit të vërtetë shqiptar i cili na thotë me krenari: Ja, kjo është Shqipëria!

Mercenarizmi, mendësia e rreshtit dhe liria

Kush heq dorë nga liria për të mbërritur sigurinë, ai nuk e meriton as lirinë dhe as sigurinë (B. Franklin)

Mercenarizmi ka reshtur së qëni një fenomen dhe është shndërruar në një mënyrë të rëndomtë të jetuari, që as nuk bie më në sy. Mendësia e rreshtit është ajo që jep siguri, teksa në kohët e sotme bëhet përherë e më vështirë të takosh njerëz të lirë. Ka njerëz që thonë se janë të lirë nëpër tryezat e bareve, njerëz që shkruajnë për lirinë me tone patetike, njerëz anarshistë, arrivistë, komplotistë, falangistë etj, që mënyrën e tyre të të jetuarit përpiqen ta shesin si liri, por njerëz të lirë vështirë se gjen. Nëse të qëllon të shohësh se dikush ligjëron rrjedhshëm nëpër gazeta dhe tv, nuk duhet të jesh edhe aq i sigurtë se po thotë ekzakt mendimet e tij. Në shumicën e rasteve i marrin të gatshme nga dikush tjetër, ndërfusin idetë e pikëpamjet e të tjerëve në ligjërimin e tyre, ose thjesht recitojnë pikëpërpikë detyrat e shtëpisë që ia ka dhënë tjetërkush, në mënyrë direkte a indirekte. Ky tjetërkush mund të jetë një filozof i vdekur a një kryetar partie i gjallë, shefi i njëzyre apo bosi i një firme, një interes vetiak për t’u mbrojtur apo një borxh për t’u larë, servilizëm i lindur ose ca para për t’u marrë, një porosi për t’u çuar në fund apo një sulm i porositur. Sa për atë që flet, ai në shumicën dërrmuese të rasteve është thjesht një qendër zëri, një megafon, një amplifikator, pra një send. Një shprehje sufijsh thotë: “Mos i jep rëndësi atij që flet, por atij që e bën atë të flasë”. Kuptohet, kjo është një shprehje me karakter të thellë teozofik e mistik, por e reduktuar në përmasën dhe në nivelin e psikës së sotme shqiptare, e vizaton më së miri mungesën tonë të lirisë. Një nga pamjet që më fanitet vazhdimisht para syve, (edhe pse e zbukuruar me mjaft detaje nga imagjinata) është Sokrati në burg, në pritje të ekzekutimit me vdekje. Dhe qetësia e tij e brendshme, dhe nxënësit e tij, Kritoni, Fedoni e të tjerë, që i luten të arratiset, dhe diskursi i mrekullueshëm përmes të cilit ai mbron vendimin e dënimit të tij me vdekje. Kjo është pamje. Ai burrë i madh e dinte mirë se është mënyra e të jetuarit dhe e vdekjes janë ato që pohojnë më së miri fjalën. Pra, e di se gjendet në çastin kur qëndrimi i tij para vdekjes ka rastin ta madhërojë qëndrimin e tij filozofik. Dhe vdes duke mbetur në histori si një ndër martirët më të mëdhenj të fjalës. Ja një njeri i lirë. Shumica e martirëve të tjerë të fjalës ecën në hullinë e tij. Sa herë, nëpër biseda me miq, arrijmë në konkluzionin e përbashkët se njerëzit janë gati të luftojnë rëndom për të mbrojtur atribute dhe vlera të dukshme si, mall, gjë, pasuri e vlera materiale. Fjala vjen, nëse dikush kërkon t’i marrë këpucët apo xhaketën një tjetri, ai është kurdoherë gati t’i hidhen në grykë grabitësit, por nëse i merr lirinë, nuk bën zë sepse nuk e di se çfarë je duke i marrë. Në rastin e parë bëhen agresivë sepse mbrojnë diçka së cilës ia dinë vlerën, diçka që e shohin dhe e prekin. Kurse në rastin e dytë nuk reagojnë sepse je duke i marrë diçka abstrakte, diçka të cilën nuk e di a e zotëron ndopak, le pastaj të pretendosh t’ia dijë vlerën. Nëse humbasim diçka dhe nuk e dimë se ç’është, ky është vërtetë fundi. Them se këtu do kërkuar edhe shkaku i kollajllëkut me të cilën instalohen diktaturat në Shqipëri.

“Ab Iove principium” thonë latinët, duke na këshilluar se ka një hierarki që do respektuar përsa u përket vlerave tona njerëzore. Me pak fjalë duhet filluar që prej më të rëndësishmeve. Nëse “Iove” (Jupiteri) e zëvendësojmë me “Liria”, them se kemi kuptuar gjënë më thelbësore, pikërisht atë që na bën njerëz. Sepse nuk besoj se është edhe aq forma ajo që na bën njeri, sa ç’është përmbajtja dhe vetëdija mbi vlerat njerëzore.

Është e vërtetë që një nga periudhat më të rënda të mohimit të fjalës së lirë ka qenë ajo e diktaturës komuniste. Këtë e dimë të gjithë tashmë. Por, duhet pranuar se asokohe, të gjithë në që rrinim gojëkyçur dhe ndjenim të na kalbej përbrenda liria e pashprehur, kishim të paktën një justifikim të forte, mbas të cilit fshiheshim dhe ndjeheshim të ngushëlluar për pamundësitë tona. Justifikimi quhej “diktaturë”. Të gjithë ia kishim mbushur mëndjen vetes se, po të mos qe diktatura, do thonim e do shpreheshim e do bënim e do arrinim e do realizoheshim, e do… e do… e do… Pra, e kishim gjetur fajtorin. Është ngushëlluese apo jo? A s’vihen të gjithë në kërkim të një fajtori nëse punët nuk u shkojnë mirë e se nuk u ecin planet që kishin për vetërealizimin? Me ta gjetur fajtorin ndjehemi shumë më mirë. Por, pyetja është: Po tashti që fajtori nuk është më, çfarë na pengon? Dakord, po e pranojmë që fajtori është gjithsesi, por prapë duhet të heqim dorë së kërkuari thjesht sepse fajtori-diktaturë, që për ne kishte pamjen e një individi, tashmë është shndërruar në shumë fajtorë të tjerë. Tashmë fajtori që shkakton mungesën tonë të lirisë mund të jetë çdokush që ka në dorë sigurinë e jetës sonë materiale, pra mund të jetë një aksh i çfarëdoshëm që shfaqet çuditërisht i plotfuqishëm brenda sistemit. Konceptin tonë për fajtorin mund ta ilustrojmë me matrioshkën ruse. Mbas secilës figurë fshihet një tjetër figurë, e kështu me radhë. Në këtë rast, a s’është më e udhës të heqim dorë nga kërkimi i fajtorit dhe t’ia paguajmë lirisë taksën që kërkon. Këtë e bëjnë njerëzit e vërtetë, njerëzit që kanë vetëdije. Por ata që janë gati t’ia paguajnë haraçin lirisë së tyre janë fare pak. Shumica kërkon sigurinë, njëfarë sigurie të flashkët të cilën më pëlqen ta ilustroj me parabolën e mullarit të sanës, apo të barit të thatë. Nëse shkon tek ca lopë që ushqehen ngeshëm tek mullari dhe u thua se diku më tutje është një livadh me bar të njomë, për një hop ato maten t’ia mësyjnë për atje, por…në çastin e fundit tërhiqen. Sepse arsyetojnë kësisoj: “Dakord, mund të shojmë tek livadhi…por, po sikur lajmi të jetë i rremë? Bari i njomë është i mirë, por askush nuk na garanton aq sa duhet në lidhje me ekzistencën e tij. Kurse mullari të paktën na jep siguri.” Kështu janë disa njerëz, si lopët e parabolës: kërkojnë sigurinë duke arsyetuar si lopët e parabolës. Në lidhje me këtë formë arsyetimi, i madhi B. Franklin thotë: “Kush heq dorë nga liria për të mbërritur sigurinë, ai nuk e meriton as lirinë dhe as sigurinë”. Ndërsa po t’u përmbahemi asaj që thotë Kierkegaard në lidhje me stadet ekzistenciale në të cilat mund të gjendet njeriu, atëherë le ta themi pa frikë se, përgjithësisht, njeriu shqiptar është në stadin estetik. Duke qenë i përqëndruar në kënaqësinë e çastit dhe dëshirën për të jetuar të sotmen, them se do t’i duhet punë sizifike për t’u ngjitur në dy stadet e tjera, etike dhe religjioze.

Do të doja të isha gabim, e më vjen vërtetë keq, por nganjëherë më krijohet ideja se vuajmë nga një lloj prirjeje e trashëguar rekrutuese dhe mercenariste. Mesa kuptoj në këtë vend është krejt e mundur të gjesh ushtarë për të përmbushur gjithfarë planesh apo idesh, pse jo edhe të dëmshme për bashkësinë. Panoramën më të mirë të mungesës së lirisë së individit- simbas mendimit tim bota s’është tjetër veçse një shumësi individësh që kanë humbur kujtesën e lirisë-, na e japin televizionet dhe shtypi i shkruar përgjithësisht. Është shumë e vështirë të pikasësh një zë të lirë njerëzor që është shkëputur nga orkestra dhe ka dalë si tingull më vete. Nëse për një çast të krijohet ndonjë përshtypje e tillë, nuk vonon shumë për t’u shfaqur zhgënjimi i radhës. Psikologjia e rreshtit është e kudopranishme. Të gjithë shërbejnë. Nëse ka hierarki, kjo lidhet vetëm me rangun e shërbimit por me asgjë tjetër. Nëse ekziston liri, ajo nuk është liri që rrjedh nga vetëdija dhe virtyti, por thjesht liria e shërbimit. Personalisht mendoj se liria fillon e mbaron me fjalën. Duket si diçka e lehtë, por në fakt është shumë thelbësore. Nëse ka nga ata që mbërrijnë deri tek liria e fjalës, dijeni se ia kanë paguar e janë gati t’ia paguajnë të gjitha taksat kësaj lirie. Në këtë rast fjala nuk është fjalë, por mënyrë jetese.

Them se liria është atributi më i fisëm që mund të ketë një individ, por atë nuk mund ta kenë të gjithë, sepse përbën një barrë vërtetë të rëndë. Të dobëtit zgërlaqen nën peshën e saj dhe vetëm njerëzit e vërtetë lartësohen. Liria buron drejtpërdrejt nga virtyti dhe është pamja më e qartë dhe më domethënëse e dinjitetit të individit, por mjerisht kohët kanë vërtetuar se mund të rrohet fare mirë pa të.

Kultura e fjalës së lirë dhe klubselanikasit e sotëm

Mendoj se, përgjithësisht, në vendin tonë nuk kumbon fjala e lirë. Këtu nuk është çështja se dua të fajësoj ndonjë qeveri apo një tjetër, por thjesht që qortoj filozofinë dhe mendësinë shqiptare të indiferencës, të druajtjes e të prirjes për të ruajtur një status-quo të rehatshme. Dua të them se fjala e lirë nuk ekziston në asnjë fushë të jetës shqiptare. Ose, mund të flasësh, mund të shprehesh, por deri në kufirin e lejuar, kufi për të cilin, duhet thënë se pikësëpari i ka lëshuar rrënjët në psikologjinë tonë të indiferencës e të nënshtrimit. Më pas, ky kufi është trashur aq shumë, sa ka marrë formë të dukshme, të lexueshme dhe kësisoj është shfrytëzuar lehtësisht e në mënyrën më të keqe nga individët-kujdestarë, rojtarë dhe mëkues të demokracisë sonë shqiptare. Nuk dua të flas për çështje që dalin nga korniza e kulturës, por tashmë është e ditur që, fjala e lirë në çështjet e kulturës, është e lidhur ngushtësisht me kulturën e fjalës së lirë, e cila mbas pesëdhjetë vitesh diktaturë, është shndërruar në diçka të largët e të pambërritshme. Mendoj se ne shqiptarët, përfundimisht, duhet të heqim dorë nga sharjet e pushtetarëve dhe drejtuesve tanë nëpër rrugë e kafene, dhe duhet të bëhemi të vetëdijshëm njëherë e mirë për domosdoshmërinë e fjalës; përndryshe, le të heshtim e t’i pranojmë verbërisht, gjithë ata që na drejtojnë, duke u bindur se nuk i meritojmë hiç më të mirë.

Kjo duhet të ndodhë edhe me ata që i prijnë kulturës sonë në përgjithësi, mbasi edhe në fushën e kulturës mungesë e lirisë së fjalës është krejtësisht e pranishme. Pra, as në fushën e kulturës, fjala e lirë nuk ekziston. Ose thënë ndryshe, ekziston, por nëpër rrugë, nëpër bare e kafene, nëpër familje, mes miqsh e gjithandej, por jo aty ku duhet: në median e shkruar dhe atë elektronike.

Në mjaft nga problemet që u përkasin kulturës, e keqja është lehtësisht e dallueshme prej të gjithëve, sepse përfaqësohet prej një grupi të caktuar individësh që kanë emra. Dakord, e keqja më kryesore buron nga keqinterpretimi i sistemit të demokracisë, nga sistemi i gabuar i politikave kulturore, por për ta përmirësuar këtë sistem me një tjetër, do na duhet goxha kohë, sepse pikësëpari do na duhej të përmirësonim qeveritë, e, për të përmirësuar qeveritë, do na duhej të përmirësonim psikologjinë dhe vetëdijen e shqiptarëve…E kështu zinxhiri i ndryshimeve dhe i përmirësimeve të nevojshme do na hante nja katërqint vjet të mira. Por, një gjë mund ta bëjmë ama: të godasim të keqen e atyre që ushqejnë sistemin, e t’i godasim nominalisht, e jo me metoda e stilizimi të stërholluara e përgjithësuese. Drejtpërdrejtë, e pa asnjë mëshirë. Pak më sipër thashë se nuk duhet t’i shajmë. Tash po them, t’i godasim! Por jo t’i godasim me metoda virtuale, me psherëtima e me ankime e qarravitje, o t’i godasim me muhabete klubesh, e me debate e polemika e diskutime të gjora nëpër kafene e shëtitje, por përmes shtypit.

Njoh një luzmë njerëzish të kulturës, që llomotitin nëpër klube, me tone të ngritura e me arrogancë e me retorikë, duke dhënë leksione mbi ç’duhet bërë e ç’duhet vepruar. Flasin për lirinë e fjalës, mëtojnë se janë të lirë, bien në dalldi dhe delir të fjalës klubore, japin mendime të zjarrta mbi atë që do kishin bërë për kulturën, po t’u jepej mundësia të ngjiteshin në aksh post apo detyrë, flasin për dolloj sekretesh kulturore që i dinë vetëm ata, rrëfejnë për ca “pisllëqe” korruptive në kulturë që i dinë e i kanë parë, po për t’i shkruar nuk i shkruajnë kurrë. Zëri i tyre mbetet në nivelin e zukamës së mizave të inatosura. Ka nga ata që thonë edhe gjëra përsëmbari, maturisht e me qetësi, gjëra që do të ishte vërtetë interesante të shfaqeshin nëpër faqet e gazetave tona, por edhe këta janë ca frikamanë të gjorë që mjaftohen me muhabete klubi. E, këta për të cilët po flas janë artistë, e jo dosido, madje nga ai stof artistësh që kanë emër, por dhe mendim të shkëlqyer për veten. Kanë, kanë…kanë nga të gjitha, por vetëm guxim jo. Atë guximin dhe vetëdijen e ndershme qytetare për t’i dhënë zë pikëpamjeve, dyshimeve, pakënaqësive, kritikave dhe në fund, lirisë së tyre njerëzore.

Këta lloj individësh kapadainj e mëndjemëdhenj, e njëherësh frikamanë, mëtojnë se janë në gjendje të thonë plot gjëra të rëndësishme, por që ky popull nuk i meriton! Flasin për historinë, letërsinë, gjuhësinë, etnografinë, atdhetarinë, hedhin gjithfarë tezash të çuditshme, po për t’i shkruar nuk i shkruajnë! E thamë tashmë: populli nuk i meriton! Klubi i Selanikut! Ja, pra arsyeja që tekstet e shkruara në në fillim të shekullit XX, e që kanë lidhje me mendësinë e shqiptarëve janë e do mbeten përherë aktuale; ja pse mbetet ende aktual pamfleti i Andon Zakos: jo sepse koha nuk lëviz, por sepse nuk lëviz mendësia e shqiptarëve! Ja pse mbeten aktuale fjalët: “Mos pritni t'u them se ç'tha. Për zonë s'kupëtova dot mirë, se fjalët rrokulliseshin si dhëntë njëra pas tjetërs, ca të bardha, ca të zeza, ca syska, ca bejka, ca ruda, ca kaleshe, ca shyta, ca me brirë, po të të gjitha plaka të shkuara e të vjetëra”.

E bukura është se tipa të tillë, kur shohin një tjetër që punon drejt dhe me guxim, duke i dhënë fjalës zë përmes shtypit, përpiqen ta fusin në rresht, duke i thënë se “Ç’të duhet ty! Këtë vend e ka marrë lumi, shih më mirë punën tënde!..”, etj. E, le ta themi: numri i klubselanikasve rritet me ngutshëm dita-ditës, e me po atë ngut largohet edhe fjala e lirë…