17.3.08

Servum pecus, sëmundja e njerëzve të kinsekulturës

Mbi padronët e rremë të kulturës, njerëzit e kinsekulturës dhe sëmundjen e tyre të pashërueshme

E dimë të gjithë tashmë, paçka se thjesht në teori; e dimë të gjithë, paçka se ajo ka reshtur tashmë së qëni edhe ëndërr; e dimë të gjithë, paçka se nuk e zbatojmë. Pra, e dimë të gjithë se ajo që krijon, ajo që na rrit, na zhvillon e na vetëdijëson si njerëz, ka qenë e do jetë përherë vetëm liria. Por, ndoshta ngutem pak, sepse, të mëtosh se e di diçka mirë, do të thotë ta jetosh atë që di. Dija është themeli i lirisë së njeriut. Dijen nuk mund ta kenë të gjithë. Sepse dija nuk është arkiv, nuk është sirtar, nuk është google, nuk është mbamendje, nuk është papagallizëm, nuk është majmunëri, nuk është llomotitje tavolinash, nuk është një karvan i pluhurosur të dhënash kulturore, nuk është citim sipërfaqësor emrash të mëdhenj që na kanë formësuar vetëdijen shpirtërore e filozofike, nuk është servum pecus e, më në fund nuk është puthadorësi, jargavitje, përgjunjësi dhe servilizëm… Dija nuk është asnjëra nga këto por, përkundrazi, ajo është dinjitet, respekt njerëzor, guxim për t’u përballur me të keqen, vetëmohim, mënyrë të qëni e të jetuari, e, më shumë se asgjë tjetër është liri, pavarësi, vetëdije, vetëmohim. Dija është rrugë, një rrugë e vështirë që mund të mbyllet me jetën, por kurrsesi me bjerrjen e tipareve të qenësishme të cilat na kuptimësojnë dhe na bëjnë të ndjehemi NJERËZ. Mjerisht, shoqëria njerëzore është e ndarë në padronë dhe skllevër. Kështu ka qenë, kështu është, kështu do të jetë. Kjo është në fatalitetin e natyrës së rëndomtë njerëzore. E thamë: në thelbin e natyrës së rëndomtë njerëzore! Pra, jo në thelbin e pastër njerëzor, pra jo tek të gjithë, pra jo tek njerëzit, pra jo tek njerëzit e vërtetë të dijes! Hierarkia e vlerave njerëzore është një fakt i pakundërshtueshëm. Hierarkia e vlerave njerëzore nuk ka të bëjë edhe aq me hierarkinë shoqërore, politike, kinsekulturore, etj. Nëse besojmë se brënda çdo njeriu ekziston një shkallare e pafundme që do ngjitur, gjithçka shfaqet më e kumtueshme në lidhje me atë që po themi. Disa mund të jenë në krye të pushtetit, në krye të institucioneve, mund të jenë në gjendje të sajojnë apo të shpërbëjnë shkallën tonë shoqërore, por ama nuk janë në gjendje të ngjitin qoftë dhe një këmbë në shkallën e kulturës së tyre shpirtërore. Hierarkia e jashtme dhe hierarkia e brendshme, janë dy gjëra që përputhen rrallë brënda një individi. Nëse po, atëherë do të pasonte me siguri mrekullia. Mendoni pak sikur burra të lartë e me shpirtra të dëlirë si Herakliti, Sokrati apo Platoni, të mund të viheshin në krye të pushtetit politik! Kësisoj, më në fund do mund të kishim një sistem të spastruar (së paku përkohësisht) nga budallenjtë, llaskucët, ligavecët, puthadorët, ziliqarët, dallaverexhinjtë, sharllatanët, kopukët, zullapët, e sa e sa qënie tjera të pështira. Por, kjo është e pamundur e, kësisoj, imazhi i kthjellët i këtyre burrave të lartë por edhe i mjaft të tjerëve, i cili vijon të jetë i transmetueshëm nëpër të gjitha epokat, duam apo jo gjendet gjithnjë në periferinë e vëmendjes dhe vështrimit të skotës servum pecus, nga gjiri i së cilës gjenerojnë drejtuesit e të gjitha fushave; edhe ata të kulturës. Tashti s’është më në pyetje dilema: padron apo skllav, por: i lirë apo servum pecus? Sa për ta thjeshtësuar disi komunikimin, pak a shumë kjo dilemë mund të zëvendësohet, simbas meje, edhe me shprehjen “Sokrat i vuajtur apo derr i kënaqur?”. Një derr jeton mirë dhe është i lumtur, por ajo e tija është një lumturi idiote, sepse ia ushqen edhe verbërinë për të mos e parë vezullimin e nesërm të thikës. Nëse zotëria e ushqen mirë dhe ia çon rregullisht ushqimin tek hunda, derri i gjori lumturohet duke kujtuar se ai ka respekt të veçantë për të! Por, a është vërtetë i lumtur derri? Po, derri është i lumtur, por i lumtur si një derr, brënda skotës së tij servum pecus! Ndërkohë ekziston edhe Sokrati (ose ndryshe, secili prej njerëzve që do guxonte të zgjidhte mënyrën e tij të jetës), por ai është simboli i rrugës së vështirë! Rrugë e vështirë, por e vërtetë. E, sigurisht që e drejta është gjithnjë rrugë e vështirë. Shumica dërrmuese e njerëzve të artit dhe kulturës mund ta përmbyllim pa mëdyshje në skotën e sipërpërmendur servum pecus. Këta dështakë të gjorë, që s’kanë këllçe ta përshkojnë me dinjitet rrugën e tyre, duke u mbështetur në atributet e njeriut të lirë, rrinë në pritje të vendkullosës apo torishtës, drejtimet e të cilave i shpresojnë nga kërraba e bariut! Servum pecus është sëmundja më e ndyrë e kohës sonë! Ajo është një mënyrë të jetuari pa vënë re, ose në rastin më të mirë, një mënyrë të jetuari në shërbim të padronit. Servilizmi i qënieve servum pecus nuk është gjest i shkaktuar nga një çast dobësie njerëzore, por mënyrë të menduari, mënyrë të vepruari, mënyrë të jetuari. Njoh sa e sa individë të kinsekulturës, të cilët jetojnë e shuhen dalëngadalë, pa mundur të jenë të lirë as dhe për një çast të vetëm! E megjithatë flasin për lirinë e tyre, për bëmat e tyre kundër diktaturës, kundër së keqes, kundër kinsetikulturës! E në të vërtetë, kinsekultura janë ata vetë! Nuk kanë patur këllçe të jetojnë në liri, të realizohen, a të mbërrijnë qoftë dhe vetëm nga pika A në pikën B. Sa për C-në e vetërealizimit në liri, atë as që e njohin fare! Ende sot u iu dridhen e iu gallaviten mjekrat prej jargëve, teksa vijojnë t’u thurin lavde padronëve të tyre kulturorë, artistikë e letrarë! Nuk kanë jetë të veten: jeta e tyre kalon nëpër laringun e padronit! Njoh (të gjithë njohim!) mjaft shkrimtarë, artistë, kulturologë e kulturomanë të brezit të ri. Edhe atyre mund t’ua shohësh në ballë damkën e pashlyeshme të sëmundjes servum pecus! E mund t’ua shohësh po ashtu edhe jargët e lëvdatave, ditirambeve, panegjirikëve e apoteozave që ua kushtojnë padronëve, miteve, etërve e dalëzotësve të tyre. Dhe, ashtu të ulur mbi llumin e kohërave të kaluara, s’kanë turp të flasin për të sotmen e të ardhmen! Edhe të ardhmen! Por e ardhmja nuk vjen, sepse ajo mëkohet vetëm nga liria e sepse qysh tash ua dallon ndër ftyra blanën e sëmundjes servum pecus. Këta janë njerëz të dijes?! Mos o Zot!…Dija është liri, liria është sakrificë, e vetëm sakrificat janë ato që të çojnë në kufinjtë më të epërm të identitetit, vetërealizimit kulturor dhe shpirtëror.

Nuk ka komente: