Mendoj se Shqipëria jonë, së paku që prej gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë, e në vijim, duhet të jetë një nga vëndet që ka vuajtur më së tepërmi nga sundimi dhe psikologjia e plebejve. Qëllimi i këtij shkrimi nuk është të flasim keq për plebejtë, por të përpiqemi të vëmë në dukje se cili është një nga shkaqet madhore që e dëmton një bashkësi a shoqëri njerëzore.
Përse mendojmë se plebeu nuk duhet të marrë assesi në dorë fatet e këtij vëndi në të gjitha fushat? Sepse plebeu arrin të perceptojë vetëm të sotmen, por jo të shkuarën, e sidomos jo të ardhmen.
Tashti le të shohim ç’ndodh në nahijen tonë shqiptare. Rastësisht i hodha një sy këto ditë poezisë së Dritero Agollit, me titull “Krevati i perandorit”.
Vite më parë mendoja se ishte fjala thjesht për një poezi pa asnjë vlerë estetike. Tashti mendoj ndryshe: “Krevati i perandorit” vijon të jetë një poezi pa asnjë vlerë estetike, por tashmë me shumë vlerë kur është fjala për të përshkruar mendësinë e plebeut të veshur me autoritetin që të jep një pushkë e gjatë, mendësinë e plebeut që po vjen në pushtet për të mos u shkulur kurrë më së andejmi. Dhe pushtetin e shtrin në të gjitha fushat e, merret vesh, edhe në kulturë. Edhe në poezi... Në poezinë e Agollit, ky partizani Meke, i cili nuk di pse po zbret nga
Një poet jo-plebe nuk do ta kishte shkruar fare një poezi si kjo, por nëse do ta kishte bërë një gafë të tillë, do të thoshte së paku që partizani Meke duhej të dilte vërtetë në mal, po për të kullotur dhitë, jo të sorollatej me pushkë në krah; të lëronte arën dhe jo të sillej vërdallë tërë kapadajllëk. Por, problemi i madh i partizanit Meke, është se ai nuk ka dhi, nuk ka tokë, nuk ka asgjë, nuk ka gjë prej gjëje. Se, përndryshe pse duhej të dilte në mal? Por ai merr pushkën me shpresën (aspak të gabuar, që u realizua vërtetë) se një ditë, nëpërmjet pushkës do të mund të bëhej me dhi e me tokë e me katandi. Njëmend e tmerrshme: të ëndërrosh dhitë e tokën, sidomos tokën, nëpërmjet pushkës, duke e ditur mirë se toka është diçka që trashëgohet brez mbas brezi, sikundër emri i fisit, dhe nuk është normale të fitohet me një pushkë në krah e me një palë opinga llastiku. Tashti, në kuptimin figurativ, me një një njeri që nuk ka një tokë të tijën, kuptojmë njeriun që nuk ka një personalitet të vetin, nuk ka një identitet të mirëfilltë. Kësisoj e keni të lehtë të përfytyroni se ç’ndodh kur një individ i tillë merr në dorë edhe fatet e vendit. Duke mos patur vetë një identitet, ai vjen për t’i dhënë identitet gjërave, identitetin që në të vërtetë nuk e ka.
Nga ana tjetër, partizani Meke duhet të mësojë pak edukatë higjienike: meqë është i veshur për ibret, me opinga të llangosura nga balta, me shpinën tërë zdralë që i kutërbon nga pisllëku disavjeçar, duhet të mësohet të mos hyjë në kurrfarë mjedisi që vetëtin nga pastërtia, e le pastaj të hyjë në odën e gjumit një perandori, të perandorit Viktor Emanuel III, pinjollit të dinastisë njëmijë e ca vjeçare të Savojës!
Qëllimi i këtij shkrimi nuk është përlëvdimi i pushtuesit dhe nëpërkëmbja e atdhetarizmës, -kurrën e kurrës-por thjesht vënia përkundrejt e dy tipave njerëzorë që përfaqësojnë dy shtresa shoqërore: një fshatar me pushkë dhe një perandor. Kemi pra, plebeun që hyn në odën e perandorit (të dinastisë, do theksuar: më se njëmijëvjeçare) dhe e quan “farë e keqe”. Dhe kë? Viktor Emanuelin e Tretë, i cili është mbiquajtur nga mbretër dhe perandorë të tjerë “Perandori ushtar”, ngaqë në Luftën e parë botërore ka qenë vijimësisht në front. Dhe këtë epitet ia kanë vënë perandorë dhe mbretër të tjerë.
Më pas, ky fshatari Meke i zëvendësoi opingat me këpucë të lustruara, veshi kostum e kravatë dhe iu fut punëve të mëdha të shtetit. I shumëfishuar në mënyrë marramendëse, ai mori nën kontroll gjithçka. Një pjesë e këtyre kopjeve u bënë politikanë, avokatë, studiues, njerëz të kulturës, sidomos të kulturës. Tashti mendoni pak se ç’kulturë mund t’i sjellin një vendi tipa si puna e ish-partizanit Meke. Për pesëdhjetë vjet Mekja dhe nënproduktet e tij folën e folën për kulturën derisa u lodhën, por veç kulturë nuk bënë. Ajo që na intereson më së shumti të marrim në konsideratë, është dëmi që lloji i Mekeve bënë në kulturën shqiptare, në artin shqiptar, kryesisht. Gjëma është e paparë. Në trashëgiminë pesëdhjetëvjeçare të asaj që po e quajmë “art i partizanit Meke” duhet të rrëmosh e të llangosesh gjer në grykë për të gjetur diçka të hajrit. Fshatari Meke ishte njeri i mirë, edhe i zgjuar, por mjerisht jo dhe aq i fisëm sa të rrinte në vendin që i takonte. Tanimë provincializmi, militantizmi dhe amatorizmi i fshatarit Meke është ulur këmbëkryq mbi kulturën shqiptare. Dhe dihet, kur në një vend ndodh kjo, është fundi. Fotokopjet e fshatarit Meke i shohim gjithandej në çdo nivel e instancë të kulturës. Sigurisht, nuk mohojmë se në ndonjë rast ndodh që njeriu i duhur të gjëndet në vendin e duhur, por kjo ndodh kaq rralllë sa mund ta quajmë ose ngjarje të madhe, ose rastësi, rastësi që fshatari Meke nuk është kujtuar se mund ta kishte edhe atë vend.
Me gjasë, dangat e baltës që la pas opinga e dikurshme e fshatarit Meke, nuk do të na ndahet kurrë më. Për turp, tashmë ato blana nuk janë në vetëdijen tonë; ato janë shalakatur jo veç në epokën e djeshme të diktaturës, jo veç në të sotmen, por edhe në të ardhmen tonë. Plebeizmi, provincializmi, amatorizmi e sa “izma” të tjera po e shurdhojnë realitetin shqiptarë si një zukamë e neveritshme mizash. Figura e fotokopjuar e fshatarit të patokë Meke, sundon botën shqiptare. Tashmë versionet e larmishme të fshatarit Meke i gjejmë gjithandej. E s’na mbetet tjetër veçse të psherëtijmë me pikëllim: arritën plebejtë!
2 komente:
Ideja e perdorimit te poezise se Agollit eshte interesante dhe e veçante, kurse trajtimi qe ju i beni asaj eshte problematik per shume arsye, intelektuale dhe ndjesore. Do ju keshilloja te rilexoni historine boterore, ate te Shqiperise si dhe disa libra nga filozofia dhe sociologjia (Makiavel, Ruso, Hobs, Kant, Hegel) etj.)
Ideja e perdorimit te poezise se Agollit eshte interesante dhe e veçante, kurse trajtimi qe ju i beni asaj eshte problematik per shume arsye, intelektuale dhe ndjesore. Do ju keshilloja te rilexoni historine boterore, ate te Shqiperise si dhe disa libra nga filozofia dhe sociologjia (Makiavel, Ruso, Hobs, Kant, Hegel) etj.)
Posto një koment