10.4.08

Akti i krijimit letrar si fatalitet

Një ese mbi procesin e krijimit letrar, gjendjet dhe marrëdhëniet që shkrimtari krijon me tekstin

Aureola e territ që rrethon aktin e krijimit dhe vështirësia që mjeshtrat e metafizikës hasin në përpjekjen për ta ba të ditun se ç‘asht ai, nuk kam dyshim se buron drejtpërsëdrejti nga themeli i vetë qenies njerëzore. Pyetja se ç‘asht akti i krijimit letrar, prej pikës nga ku unë i shoh gjanat, asht e barazvlefshme me pyetjet „Ç‘asht arti?“, „Ç‘asht akti i krijimit?“, „Ç‘asht nevoja për komunikim?“, „Ç‘asht shkrimtari?“, etj. Mendoj se njeriu e ka të pamundun të zbresë apo të ngjitet në misterin e heshtun të krijimit, dhe jo vetëm të krijimit artistik në përgjithësi, -në rastin tonë, letrar- por të cilësdo formë të krijimit, të cilitdo nivel të krijimit. Ka vite që prihem nga ideja se njeriu asht nji iluzion, që jeta asht nji iluzion, që letërsia asht nji iluzion. Në këtë rast, me marrë në konsideratë se ç‘asht letërsia si akt krijimi, don të thotë me marrë në konsideratë iluzionin e iluzionit të iluzionit. Ndoshta duket pak si lojë fjalësh, por asht një lojë shumë serioze fjalësh. Në rastin tonë pyetja asht nji, por përgjigje ka aq sa ka edhe letrashkrues. Për mue akti i krijimit asht nji fenomen çnjerëzor, term ky që duhet kuptue herëmbashere edhe si jonjerëzor, edhe si mizor. Akti i krijimit letrar si porosi fillimore, asht i njejtë për të gjithë, çka se mandej do të kanalizohet nëpër hulli, vullnete apo vullaja të ndryshme njerëzore. Mandej hyjnë në lojë cilësitë e ndryshme të metabolizmave njerëzorë të cilët do të duhet ta përtypin këtë porosi të çuditshme që quhet krijim. Ndoshta asht arrogancë nga ana ime-me siguri që asht arrogancë-por gjithnji më ka ngjallë njifarë neverie siguria me të cilën filozofët, metafizistët, estetët, fenomenologët e përshkruejnë aktin e krijimit, tue mos e njoftë në shumicën e rasteve atë fërgëllimën enigmatike që kaplon qënien e shkrimtarit, e cila krejt papritmas i jep udhë krijimit letrar, tue e vendosë këtë lloj krijimi çilembyll sytë në majën e hierarkisë së tij të vlerave njerëzore. Ja pikërisht në këtë rast, krijimi letrar shfaqet si akt çnjerëzor në të dy kuptimet që sipërpërmendëm: 1.çnjerëzor si mbinjerëzor, pra hyjnor 2. çnjerëzor si mizor, kriminal, pra i ndërtuem mbi izolimin, ambicjen, egoizmin dhe anashkalimin e shumë vlerave të tjera që përbajnë ekzistencën njerëzore. Ndoshta këto do t‘iu duken të ekzagjerueme, por nuk do ta kini fare problem po të kujtoheni se këto janë thjesht mendimet e mia tanësisht subjektive. Pra akti i krijimit asht hyjnor sepse ngjizet në një hapsinë-qoftë kjo edhe e mbrendshme-tanësisht të panjohun e të panjohshme. Krejt papritun rizgjohen imazhet e fjetuna, shfletohen disa realitete që ndoshta as i kemi jetue, as i kemi pa, e as i kemi ndi kurrë. Nuk besoj në shkrimtarin krijues apo qoftë edhe pjesëmarrës në krijim, por thjesht në shkrimtarin si instrument krijimi. Ja pse, thania „Nji përqint talent e nantëdhjetë e nantë përqint vullnet“, më tingëllon tallëse dhe fyese. Artisti nuk mund të jetë kurrsesi nji puntor krahu. Më thoni nji njeri që nuk lindet jo me nji përqint, por dhe me dhjetë, njizet a tridhjetë përqint talent! Tashti, mjaft që ky njeri të ketë vullnet dhe mund të shndërrohet në Dante apo Shekspir?! Asht e vërtetë që krymbi shndërrohet në flutur, por a mos vallë çdo krymb? Në të vërtetë, vullneti, që besoj të jetë korruptue keqas si fjalë, në raport me vlerën e tij fillimore, duhet të përkthehet talent. Ai i brendashkruhet dhe i gjunjëzohet talentit në mënyrë organike dhe natyrale. Gjendja e parakrijimit, pra ajo ideja flakëruese që na kujton fjalën që mëton të artikulohet apo të shndërrohet medoemos në shenja grafike, fjalë që në të vërtetë ende s‘asht shfaqë, asht vërtetë gjendje e jashtëzakonshme për nga mënyra se si merr jetë, por njikohësisht dhe e zakonshme sepse pulson në shumë individë, çka se rrallëherë shndërrohet në krijim. Nuk di nëse krahasimi vlen për të gjithë, por në kokën e shkrimtarit ekziston kaosi, kaosi që përgatit nji formë krijimi që ende nuk ka kalue në vetëdije, njifarë Big-Bang-u i madhërishëm, nji nebulozë e zjarrtë që të shtin dridhmat. Pra, gjendja e parakrijimit asht e pranishme tek shumë njerëz, pse jo dhe tek të gjithë njerëzit, porse me përjashtime të rralla ajo udhëton drejt ndërgjegjes për t‘u shndërrue mandej në nji kumt artistik. Nëse nji grup turistësh vëzhgon një katarakt, nji pejsazh alpin apo nji rivierë, nuk kam asnji dyshim se çdonjeri nga pjestarët e grupit vetëtohet nga e bukura me nji intensitet të plotë për të mbërritë çilembyll sytë në pragun e parakrijimit, por në të njejtën kohë nuk kam dyshim se asnji prej tyne, përveç artistit të mundshëm, nuk do të ketë fuqi ta kapërcejë këtë prag.

Gjithsesi asht vërtetë e vështirë, në mos e pamundun, me zbulue se ç‘asht akti i krijimit, mbasiqë bahet fjalë për nji mister i cili në ndërgjegje të ndryshme përthyhet në mënyra të ndryshme, tue mos na dhanë kurrë nji përgjigje të saktë. Ndoshta ma interesante dhe sidomos ma e besueshme, do të ishte të flisnim rreth atijj segmenti të veçantë të realitetit që e nxit aktin e krijimit. Ma përpara duhet ta bajmë të qartë se realiteti material që ne njohim, nuk mundet me qenë kurrsesi motorri i parë që vë në lëvizje aktin e krijimit, por thjesht nji ingranazh shumë i randësishëm që na e krijon këtë iluzion. Nëse guxoj me thanë diçka në lidhje me faktorët që nxitin aktin e krijimit, do të isha i detyruem me u bazue ne përvojën time. Sigurisht që ka edhe përvoja të tjera, por edhe ato mbeten në rangun e përvojës vetiake. Nuk e kam zakon t‘i them vetes: „Ti je shkrimtar dhe doemos duhet të shkruash letërsi“, porse „Ti je njeri dhe doemos duhet të jetosh“. Me këtë due me thanë se akti i krijimit nuk asht qëllim i egzistencës sime, por se egzistenca ime është qëllim i aktit të krijimit. Nuk duhet thanë: „Unë do krijoj, ose unë do përpiqem të krijoj“, porse „Unë do të pres, ose unë do të përpiqem të pres“. Gjithsesi, gjaja ma e randësishme asht të jetuemit, sepse pa këtë, asnjë lloj tjetër vlere njerëzore nuk do të kishte kuptim. Gjatë përpjekjeve për të jetue, ndodhin edhe përplasje të cilat gjenerojnë mandej në mënyrë krejt të vetvetishme atë që krenarisht na pëlqen ta quejmë „akt krijimi“. Në të vërtetë nuk bahet fjalë për nji akt që ndryshon thelbësisht nga aktet e tjera që njeriut i duhet të kryejë në mënyrë natyrale gjatë procesit të mërzitshëm të egzistimit. Thjesht asht fjala për nji akt që ka mundësi të vetëlavdërohet nëpërmjet ca egzekutuesve të pavetdijshëm që quhen artistë. Ajo që unë kuptoj me „akt krijimi letrar“, nuk ka të bajë fare me atë kollajllëkun budalla me të cilin njeriu ulet përpara nji letre të bardhë, thjesht i keqkuptuem ose i nxitun prej nji realiteti apo nji modeli tashma ekzistues. Nëse firmosim nji pakt të përhershëm me veten në lidhje me aktin e krijimit, nëse na ngjan se jemi jemi prorë të frymëzuem nga ky fenomen kinse i gjithnjipranishëm, nëse na asht fiksue ideja se jemi të thirrun për të krijue dhe për këtë duhet të shkruejmë e të shkruejmë pambarimisht libra, nëse mendojmë se krijimi asht nji realitet pa të cilin bota nuk ka kuptim-teksa ne si krijues kemi ardhë ta kuptimësojmë atë, nëse sajojmë lidhje artificiale me krijimin dhe mashtrojmë veten me idenë se paskemi nevojë të domosdoshme për letërsinë, atëherë vërtetë mund të thuhet se akti i krijimit nuk ka fare lidhje me ne. Artisti, në rastin tonë shkrimtari, them se e njeh mirë se ç‘asht akti i krijimit, por asht i dënuem me paaftësinë e artikulimit të sekreteve. Për botën njerëzore kjo asht e njoftun: dimë nji gja por nuk jemi e as do të jemi ndonjiherë të aftë t‘ia shpjegojmë edhe ndokujt tjetër. Thjesht mund të përpiqemi të ofrojmë ndonji ide, gjith‘ pa qenë të sigurtë se ia kemi dalë mbanë. Të menduemit e ngulmët rreth këtyne sekreteve më ka dhanë vetëm nji fryt:depresion. Kur më shkruhet-nuk di se pse më shkruhet-shkruej. Kur nuk më shkruhet, nuk ndjej kurrfarë boshllëku apo mungese. S‘ka dyshim: të përfshihem në realitetin e gjallë të jetës ku letërsia nuk asht e domosdoshme, asht vërtetë nji kënaqësi e pazëvendësueshme me nji tjetër. Pra, të rrosh si i qënie e zakonshme, asht me të vërtetë gja e jashtëzakonshme. Të krijuarët, në çastin fillimor, asht nji karrem që njeriu e kafshon me pavetdije e pafajësi të plotë qysh në fëmijni. Më kujtohet kur mora penën në dorë për herë të parë: Nuk mbaj mend se ç‘më sugjeronte pavetdija ime, por mendja më thoshte se duhej doemos t‘u tregoja njerëzve të familjes-që shihnin tek unë nji tip të ngathët e të mbyllun-, shokëve të mij, shoqeve e sidomos nji vajze që më ngjante se ishte krijue për mue, se isha nji tip i veçantë dhe i lindun për të ba gjana të mëdha. E bukura asht se as deri më sot askush prej këtyne njerëzve të cilët më nxitën me mosbesimin e tyne, nuk kanë lexue as edhe nji rresht apo varg nga proza apo poezia ime. Me kohë erdhi pendimi, me kohë vjen pendimi, por tashma asht krejtësisht e kotë. Ndihesh i përdorun dhe fatkeq. Më thoni nji shkrimtar-e kam fjalën për SHKRIMTAR- që nuk ndihet fatkeq gjysmën e ditës së tij, që nuk ndihet kafshë e zanë në kurth, që nuk ndihet i privuem nga sa e sa gjana të mira që ka jeta, që nuk ndihet i mbyllun në një realitet që i shërben jo atij por të tjerëve, që nuk ndihet i zanë në nji lak prej të cilit do ta shpëtojë vetëm vdekja. Të jesh shkrimtar asht fatalitet, ndërsa të ndihesh krenar për mrekullinë e aktit të krijimit letrar, asht njëlloj sikur të ndihesh krenar për prangat prej të cilave nuk mund të çlirohesh. Pra, krenari prej skllavi. Mazokizëm. Akti i krijimit asht burgu dhe i takon shkrimtarit. Krijimi asht liria dhe u takon lexuesve. Të ndërtosh realitete dhe botna të cilat nuk do t‘i banosh përtej hapsirës së çastit të krijimit, përban nji nga format e dënimit. Kur shoh shkrimtarë entuziastë-dhe shoh shumë-, më dhimbsen. Mplaken dhe mbeten entuziastë. Më vjen keq për ta, sepse ende nuk e kanë marrë vesh se ç‘po ndodh apo ç‘ka ndodhë me jetën e tyne. Thonë se kanë ideal, por druej se ideal nuk don të thotë me krijue, por thjesht me jetue. Në të gjitha nivelet e tij krijimi asht vetëm vlerë dhe vepër e Zotit. Shkrimtari mbetet instrument. Nji instrument i mirë, por instrument.

1 koment:

mimoza hysa tha...

Ne kete dite te mbrapshte, kur po rrekem me gjete lidhjen e letersise me shoqerine, e ma gjere, te arteve me shoqerine, apo me ngushte, po te duash, te shkrimtarit me realitetin bazuar ne kendveshtrimin e Kalvinos dhe vepres se tij, hasa shkrimin tend dhe u m'u tkurr mendimi. Kalvino te shtyn ne turr me optimizmin e tij historik, me sfiden ndaj labirinthit te krijuesit dhe me zgjedhjen per nje linje racionale avangardiste. Dale prej ferrit te thelle te studimeve te poezise pesimiste te Montales qe me dukej ne sintoni me mendimet e mia, e me ç'ka shoh, edhe me tuajat, thashe t'i jap nje here te drejte nje gjysmake optimizmi qe na mban gjalle e t'i vihem pas besimit te Kalvinos per nje letersi sfide ndaj labirinthit, sfide ndaj Satures montaliane, per nje letersi te hapur. Edhe pse argumentat fluturonin nga gerrmimet fantazioze ne Kozmikomikat aventureske, prape se prape qe e veshtire te njehtesohesha e ti jepja te drejte leksioneve te lehtesise, shpejtesise, saktesise, dukshmerise apo shumllojshmerise per letersine moderne. Dhe shume me e veshtire ta konceptoja aktin e krijimit si akt angazhimi. Nese shikohet si i tille kerkon medoemos nje ideal mbeshtetes dhe besim ndaj vlerave baze per ta realizuar: vete shtrimi i krijimit si nje proces i tille me ngjan se ia bjerr thelbin krijimit, ose e shnderron ne nje detyre te paramenduar. Po mos ndoshta, kjo ndjesi jotja (edhe imja) per krijimin i ka rrenjet ne nje vazhde formimi, apo eshte e ngjizur ne menyre aracionale? Une ende nuk i kam dhene nje pergjigje dhe jam ne kerkim me deshiren e madhe per te kundershtuar veten.