10.4.08

Paniku i fjalës së lirë

Shqiptarët ende nuk po e marrin vesh se çfarë dimensionesh kolosale ka fjala e lirë njerëzore

Qysh se amerikani Stefen Schwartz u shfaq në televizionin Klan, tek emisioni Zonë e Lirë i gazetarit Arian Çani për të dhënë ca mendime të vetat, më ka qëlluar të dëgjoj gjithfarë pikëpamjesh e opinionesh nga më të larmishmet (lexo:skandalozet), nga gjithfarë tipash të të gjitha rangjeve kulturore. Kjo çështje mori çuditërisht përmasa mbarëkombëtare dhe u interpretua si një agresion ndaj atdheut, identitetit tonë kombëtar, ndaj vetëdijes sonë kombëtare, ndaj simboleve tona komëtare, e ndaj sa e sa termave e koncepteve që mbarojnë me “kombëtare”. Ca tipa tryezash shkonin deri aty sa ta padisnin për tradhëti kombëtare edhe gazetarin Çani, i cili, për mendimin tim, është ndër të paktët gazetarë në Shqipëri që ka një koncept të qartë rreth asaj që quhet Fjalë e Lirë. Për më tepër, Çani është treguar i zgjuar dhe i ka dalë përpara së “keqes” qysh se e ka pagëzuar emisionin e tij me emrin “Zonë e Lirë”. Tashti, simbas ca tipave që gjenden në shkallën zero sa i përket kulturës së Lirisë, të ftuarit e tij (në rastin e Schwartz) kanë qëllime të shkatërrojnë simbolet dhe vlerat tona kombëtare.

Simbas pikëpamjes sime, mendoj se këta individë të kërleshur e patetikë, kanë nevojë edhe për pak diktaturë, edhe për pak hoxhizëm, edhe për pak pendrek, edhe për pak dajak, me një fjalë. Sepse, nuk di si ta shpjegoj faktin se ata ende nuk po e marrin vesh se çfarë dimensionesh kolosale ka fjala e lirë njerëzore në botën perëndimore, pjesë e së cilës përpiqemi të jemi kulturalisht.

Para dy ditësh vura re se te Shekulli kishte një reagim të Kadaresë kundër Shëartz. Pa emër, por merrej vesh se e kishte për të. M’u duk gjë absolutisht normale. Schwartz jep mendimet e tij në lidhje me Kadarenë, ky i fundit jep mendimet e tij rreth Schwartz. S’ka më mirë. Dua të them: kur reagon i zoti i punës, është diçka e drejtë dhe normale. Ajo që s’kuptoj është zemërimi dhe tërbimi patologjik i disa individëve të tjerë, që zemërohen 100 fish më tepër se vetë individi i sulmuar, i cili në fund të fundit ka të drejtë të thotë ç’të dojë kur e sulmojnë. Pashë te Shekulli një gazetare kulture që i vërsulej z. Schwartz duke e vendosur veten në të njejtin nivel me zotërinë amerikan, sikur ta kishte shok klase. Mandej, se ç’këpuste ca broçkulla e ca marrina, sa ç’t’ju them! Ma së pari, moj gocë, Schwartz s’ka kurrgjë kundër teje, sepse ai as që di gjë rreth ekzistencës sate, dhe prej këtu, si mund t’i vërsulesh me aq tërbim një njeriu që s’të ka sulmuar ty. Apo të është krijuar ideja se je duke mbrojtur Atdheun?! Pyetje: A e di ti se ç’është atdheu? Na bëj një përkufizim, të lutem.

Mandej lexova një shkrim të Arif Kutleshit (s’di kush asht ky lloj robi), por gjeta në shkrimin e tij një atdhedashuri të jashtëzakonshme. Në fakt ai s’flet kushedi për atdheun, por nejse, kjo asht mënyra sesi e shprehin atdhetarizmin ca shqiptarë që jtojnë në perëndim. E sulmonte z. Schwartz me një furi e kaq të çmendur dhe me ca terma kaq të pistë, sa s’di çt’u citoj më parë. Shkrimi i tij i ngjante një gëlbaze të qelbur. Çka je kah ban, mor Kutlesh? Me të sha tjetri robin e shpisë, e duhet me u matë dy herë për me i thanë ato fjalë. A e dini si i e quan Kutleshi amerikanin?: “Njëfarë Schwartz”! Njëfarë Kutleshi që thotë “njëfarë Schwartz”! Ja një fragment nga hartimi i Kutleshit: “Ti shan ashiqare si një rrugaç i rrugëve personalitetin tonë të letrave, të kulturës, ti shan në pikë të ditës krejt rrahagjoksash institucionin tonë, se Kadareja është institucion, ti përbaltë shtetin tonë, se Kadareja është shteti ynë (mund të pajtohemi të dy, ne s´kemi tjetër shtet!) ti përmjerr kulturën tonë, se Kadareja është kultura jonë, është Antologjia jonë, është Emancipimi ynë. Ne s'kemi tjetër, të këtij dimensioni, të këtyre përmasave, përveç Kadaresë, e ti na e përbaltë. Në sofrën tonë, në bukën tonë, në zjarrin tonë.”.

Më duket se e ka fjalën për Skënderbeun! Nuk kam nevojë me ba asnji koment rreth Kutleshit, por po e la rehat bashkë me mbiemnin e tij madhështor.

Schwartzi ka folur kundër Kadaresë. Normale. Kushdo ka të drejtë të pëlqejë ose të mos pëlqejë aksh president, aksh, politikan, aksh këngëtar, aksh shkrimtar, etj. E mandej? Ku është problemi këtu, sepse vërtetë që s’po e marr vesh. Nëse Zonë e Lirë nuk ia jep mundësinë edhe Kadaresë për t’iu kundërpërgjigjur Schwartz-it, kjo po që do të ishte poshtërsi dhe mohim i të drejtës së fjalës. Por, nuk ma merr mendja se ndodh kështu.

Në fillim të shkrimit, gazetarin, studiuesin dhe shkrimtarin Schwartz e quajta thjesht amerikan. Këtë e bëra për të theksuar faktin se ai vjen nga një botë e lirë. Sepse, ajo që s’kuptojnë këta shqiptarë të ndërkryer, është fakti se z. Stephen Schwartz vjen nga Amerika. Ajo që s’dinë këta shqiptarë të trumhasur është fakti se Amerika konsiderohet vendi kampion i lirisë së fjalës. Në Amerikë shahet e sulmohet e përgojohet e karikaturizohet e banalizohet edhe figura e presidentit! Presidenti i Amerikës është hiç më pak se ai që vrân e kthjell në tërë botën, e megjithatë, askush nuk mendon se t’i kundërvihesh presidentit të Amerikës, i je kundërvënë identitetit’ integritetit, pavarësisë, lirisë dhe vlerave të kombit amerikan. Z. Schwartz pra, vjen nga Amerika.

Pra, kur ai vjen në Shqipëri dhe i thotë këto fjalë, ai na tregon se nuk i interesojnë asfare komplekset dhe maninë tona për ta identifikuar kombin me një individ të vetëm, sepse ky, pikërisht ky është tipari kryesor i shoqërive totalitare. Nëse ne shqiptarët kemi frikë dhe panik nga fjala e lirë, nëse kemi tmerr qoftë edhe nga ideja për t’i dhënë zë pikëpamjeve tona të lira, nëse jemi kurdoherë të gatshëm t’i japim dru kujtdo që mendon ndryshe dhe përtej horizontit të ngushtë mendor të skemës kolektive, atëherë neve sigurisht që ne nuk na ka faj as z. Schwartz e as ndonjë tjetër i huaj.

Më ka rastisur të dëgjoj gjithfarë tezash edhe për Skënderbeun, heroin tonë kombëtar. Ka disa që thonë se ai nuk ka bërë asnjë luftë kundër turqve. Ka ca të tjerë që thonë se heroi tonë kombëtar as që i ka interesuar fare Shqipëria por Krishterimi, ka ca të tjerë akoma që thonë se ai ka qenë i tredhur dhe nuk ka gjeneruar kurrë fëmijë!, ka nga ata që thonë se është shkaktari kryesor i rrënimit historik të Shqipërisë. Dhe në të gjitha rastet kam parë një auditor që zgërdhihej. Ja, pra shqiptarët! Një pjesë tallet me heroin kombëtar, pjesa tjetër zgërdhihet. Ama, për çudi, kur vjen puna te Kadare, janë gati të të heqin skalpin. Se janë patriotë këta, jo shaka! Si Kutleshi, fjala vjen. Them se duhet të reshtim njëherë e mirë së identifikuari kombin me individë të caktuar, kushdoqofshin ata, makar edhe Skenderbeu. Kjo s’do të thotë se jam dakord me ata dallkaukët që shpifin gjëra të pabaza për heroin kombëtar, por që Skëndërbeu nuk ishte i vetmi në kohën e tij. Ishte epokë burrash të mëdhenj, e Skenderbeu ishte njëri nga ata që u thirr në skenën e madhe të historisë. Mandej: kurrë nuk duhen sulmuar të vdekurit, sepse nuk kanë mundësi të mbrohen.

Qëllimi i shkrimit tim nuk është të bëj avokatin e z. Schwartz, sepse ata që më njohin e dinë se kjo nuk është në natyrën time, por thjesht të shpreh disa pikëpamje të miat gjithë duke besuar se janë të drejta e të domosdoshme për të sqaruar ca tipa që e sulmojnë pa e njohur asfare. Personalisht kam patur rastin ta takoj z. Schwartz dhe më ka bërë përshtypje kultura e tij e thellë në shumë fusha. Ai është një njohës i shkëlqyer i letërsisë botërore, e nuk e teproj kur them se rrallë e tek ndonjëri nga shqiptarët mund të matet me të. Shumica e atyre që e sulmojnë nuk kanë as tulla në banesën e tyre sa ka ai libra në kokën e tij. E them me siguri se Schwartz e do këtë vendin tonë mjaft më pastërtisht sesa vetë ata që bëjnë hartime, fjalime e që tundin flamujt e atdhedashjen mediatike. Kishte një njohje shumë të mirë për historinë e Shqipërisë dhe e kam dëgjuar të thoshte se shqiptarët kanë një histori të madhe, shumë më të madhe nga ajo që është e shkruar. Në fakt ngulte këmbë që historia jonë e vërtetë është e pashkruar. Më bëri përshtypje kur tha me plot pasion: Shqipëria është vendi më i bukur në botë. Mandej shtoi se së shpejti so të vinte për të banuar një herë e përgjithmonë këtu. Që ai i do shqiptarët dhe Shqipërinë, kjo s’ka pse të na duket çudi, (ky s’është as rasti i parë e as i fundit) sikurse nuk ka pse na duket çudi as fakti se Shkodrën e ka preferencë të veçantë. Me të drejtë, sepse ai mendon se historia jonë kulturore gjendet aty. Fundja, me këtë jemi dakord të gjithë, duam s’duam.

Në shkrimet që janë bërë kundër tij, është përgojuar e përjargur fakti se ai na qenka hebre, katolik, musliman, etj. Këta individë flasin në mënyrë shumë sipërfaqësore, janë besimtarë sipërfaqësorë dhe, rrjedhimisht perceptojnë në mënyrë sipërfaqësore. Në rrafshin kulturor z. Schwartz ka një kulturë libreske të jashtëzakonshme teologjike e religjioze. Ai i njeh në mënyrë të mahnitshme religjonet kryesore monoteiste: hebraizmin, Krishterimin, Islamin, por edhe religjionet e kulturat shpirtërore të Lindjes së largët. Kam patur rastin të takoj mjaft njerëz të ditur sa i përket kësaj fushe, e z. Schwartz padyshim bën pjesë tek ndër më të spikaturit. Sa i përket besimit, ky zotëri ka një thellësi që qëndron shumë larg mundësisë së perceptimit të atyre që flasin kundër tij. E vërtetë se ai është islam, por perimetri i tij i besimit është aq i gjerë sa merr përmasa gjithpërfshirëse, sepse beson se çdo religjion ekziston simbas vullnetit të Zotit dhe ka rrugët e veta për të zbuluar të vërtetën shpirtërore. Në nivelin prej nga zotëria i sheh gjërat, rezulton se të gjitha këto religjone monoteiste janë të mrekullueshme dhe gjenerojnë nga i njejti burim. Z. Schwartz është një sufi, një mistik i vërtetë, sepse ai i sheh të gjitha religjinet dhe të gjitha realitetet si produkte të së Vërtetës Sublime. I mëkuar nga mësimet e mistikëve të mëdhenj, Shën Agustini, Xhelaludin Rumiu, Maister Eckhart, Muhjudin Ibn Arabiu, Angelus Silesius, e sa e sa të tjerëve, ky zotëri është një sufi me të tëra atributet. Mendoj se z. Schwartz është një ndër pasqyrat e vërteta të asaj që duhet të jetë një musliman, larg të qënit fanatik, fundamentalist, mospranues dhe kundërshtues ndaj besimeve të tjera. Ai është kategorikisht kundër ‘muslimanëve’ të tipit “11 shtator”, të atyre që besimin nuk e shohin si dhuratë të Zotit por si një armë.

E them pa pikë dyshimi se, sikur ata që e sulmojnë të mund ta njihnin nga afër, do të kishin mendime mjaft më pak agresive kundër tij nga ç’kanë. Takimi me z. Schwartz mund të konsiderohet pa dyshim një ngjarje.

Por, ne shqiptarët jemi mësuar të mos duam ata që na duan, por ata që na bëjnë qejfin. Ose të na duan simbas midesë dhe sedrës sonë të sëmurë. Nëse z. Schwartz nuk ka mendim të mirë për Kadarenë, në fund të fundit kjo është e drejta e tij. Nuk është as i pari e as i fundit. E pse duhet t’i hidhemi në grykë për këtë? Njoh ca individë-pisputhë të kulturës që s’e kanë fare problem kur sulmohet të mëdhenjtë At Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Martin Camaj, Anton Pashku, Lasgush Poradeci, Azem Shkreli, Frederik Rreshpja, etj, etj. Pse vallë çakërdisen e shpupurishen e gallaviten e jargaviten kur marrin vesh se dikush tjetër nuk e pëlqen Kadarenë si shkrimtar? Ku është problemi këtu. Kombi? Atdheu? Panshqiptarizma? Vlerat tona kombëtare? Dhe të gjitha këto na i përfaqësoka një individ!!

Vë re me pikëllim se shqiptarët vijojnë të kenë tmerr nga fjala e lirë. Panik, panik i vërtetë! Virusi i totalitarizmit po na çon në gangrenë dita-ditës. Them se është koha që në shqiptarët të rritemi dhe të kuptojmë se nga fjala e lirë nuk duhet të kemi panik, por respekt e adhurim, si për një atribut të mrekullueshëm të Zotit, pa të cilën një shoqëri e vërtetë njerëzore nuk ka kuptim.

1 koment:

Anna tha...

A JENI NDIJE SE MARTESA JUAJ PO SHKËRBET/SHKURORZIMI/DASHURIA E HUMBUR DHE POSHTË FINANCIArisht ??? SHTEPIA SHPIRTËRORE DR ELLEN OMIRI ËSHTË ZGJIDHJA E PROBLEMEVE TUAJA. TELON OSE WHATSAPP:+2348106541486
*Magji e fuqishme dashurie.
*Hakmarrja e korbit të mallkuar.☎ +2348106541486
*Regjistruesi i magjisë së dashurisë për të rikthyer të dashurin e humbur në 24 orë.
*Shëruesi tradicional për të rikthyer të dashurin e humbur (kthehu ish-dashnor pa kodim).
*Magjitë e martesës. Email: ellenspellcaster@gmail.com
* Shërues lokal.
*Herbalist/shërues tradicional.+2348106541486
*Fallxhorja
*Leximi me pëllëmbë. Email: ellenspellcaster@gmail.com
*Lexim psikik.
*Çmenduri e shkaktuar nga zanati i shtrigave.+2348106541486
*Magjitë e zeza për të rikthyer një të dashur
*Magjitë e puthjes/tërheqjes.
*Fëmijët kokëfortë
*Fëmijët e shurdhër në klasë
NE OFROJMË SHËRBIMET TONA NË TË GJITHA VENDET NË TË GJITHË BOTËN THIRRJE/ WHATS APP:+2348106541486
E-MAIL: ellenspellcaster@gmail.com