10.4.08

Fluturizmi në kulturën shqiptare

Një historik i shkurtër i njerëzve-fluturues

Egziston një hamendje se qysh në epokat e para të shfaqjes së tij në tokë, njeriu nisi të tundte krahët horizontalisht në imitim të zogjve. Kjo ndodhte në gjumë, por edhe në realitet. Simbas mitologjisë, të parët që provuen me fluturue dhe ia dolën mbanë, ishin Dedali dhe biri i tij, Ikari, të cilët stisën ca krahë prej druni dhe puplash të kapura me dyll. Por kjo asht histori që e dijnë të gjithë. Simbas një rrëfimi që vijon me qenë i mbështjellë me aureolën e mitit, thuhet se Simon Magu, tue përdorë flatra të sajueme dosido, bani një fluturim para syve të Neronit. Ky ishte fluturimi i tij i parë, por edhe i fundit, sepse përfundoi i bamë copë-copë nga përplasja. Në vitin 852 P.K, në Kordovë të Spanjës, njeriu me emnin Armen Firman ndërtoi një mjet të çuditshëm tue përdorë mantelin e tij. Ky njeri guxoi të hidhej nga një kullë e naltë, tue shpëtue për mrekulli, me vetëm disa lëndime të lehta. Pak vite ma vonë, gjithnji në Kordovë, nji studiues i kimisë, fizikës dhe astronomisë, me emrin Ibn Firnas, ndërtoi një makinë të vogël fluturuese. Në praninë e gjithë banorëve të Kordovës, ai u hodh prej një mali të naltë. Ibn Firnas arriti me fluturue shumë bukur, tue i mahnitë të gjithë, por teksa përpiqej të zbriste në mënyrë normale u përplas me forcë tue dëmtue randë shtyllën kurrizore. Nuk u ngrit kurrë ma në kambë, derisa vdiq në vitin 888, por para se me vdekë arriti ta zbulonte defektin e makinës së tij. Ibn Firnas kishte imitue parimin e fluturimit të zogjve, por kishte harrue…bishtin.

Mandej vjen Leonardo Da Vinçi (1452 – 1519). Shumë njerëz nuk e dinë, por Leonardo, ma shumë se gjithçka tjetër, ka andërrue me fluturue. Ai i ka kushtue nji kohë të konsiderueshme, skicave dhe maketeve të fluturimit, (të cilat mbeten interesante edhe sot), paçka se provat në praktikë ai ua linte të tjerëve. Ndoshta ngaqë nuk donte me rrezikue jetën e vet, e cila do t’i duhej për të realizue fluturimin e madh artistik nëpër epokat e njerëzimit. Në një mënyrë apo një tjetër, ky burrë ia doli mbanë me fluturue.

Por një nga njerëzit-fluturues më të çuditshëm dhe njikohësisht ma simpatikë, asht padyshim Teobaldo Scapestri, “Kokëforti” 1514 – 1522. Ky njeri ishte nga Toskana, saktësisht nga Aquilaia. Të gjitha përpjekjet për të fluturue, Skalpestri i ka realizue tue vu drejtpërdrejt kokën e tij në rrezik. Njeri i paepun. Asht rrëzue sa e sa herë, dhe për shkak të rezistencës së jashtëzakonshme të kafkës së tij, asht mbiquejtë Kokëforti.

Teobaldo i ka pasë shërbyer Leonardos, e kësisoj i ishte dhanë mundësia me i ndjekë hap mbas hapi gjitha eksperimentimet e mjeshtrit. Ma vonë, kur u shkëput nga Leonardo, ai, gjithë tue ndjekë mësimet e marra nga mjeshtri, bashkoi dy hunj me katrama dhe përdori një lloj pëlhure si velë. Në agimin e vitit 1514 u ngjit në kullën e qytezës së tij dhe tue uluritë me za të naltë: “unë po fluturoj”, u hodh poshtë. Ra si thes përmbi tezgat e tregëtarëve, të cilët e hodhën në gjyq për dëmtimin e mallit. Kjo ndodhí nuk e shkurajoi Kokëfortin, i cili e përsëriti sa e sa herë të tjera fluturimin e tij, gjithnjë në agim, e gjithnjë të paraprimë prej thirrjes triumfuese: “unë po fluturoj”. I rastisi të rrëzohej mbi thasë farnash, mbi togje plehu, etj., gja që nxiti një revoltë të përgjithshme dhe i detyroi autoritetet e vendit t’ia pengonin eksperimentet e fluturimit.

Por Kokëforti ynë nuk ishte sigurisht nga ata burra që dorëzoheshin lehtë. Ai filloi me i realizue natën eksperimentet e tij. Në heshtjen e thellë të netëve dëgjohej britma e tij triumfuese “unë po fluturoj”, e fill mandej një përplasje e fortë. Kjo histori u përsërit e ripërsërit për vite të tëra, aq sa u bë pjesë e jetës së përditshme të banorëve. Ishte gjë e zakonshme që Teobaldo të shihej tue u endë rrugëve me kokën e fashueme, tue ba kësisoj objekt talljesh për fëmijët. Kështu vazhdoi deri në një natë të vitit 1522, kur mbas britmës së zakonshme triumfuese: “unë po fluturoj”, mbas së cilës nuk u ndi tjetër gjë përpos nji të qeshune tallëse, të pashpjegueshme.

Që nga ajo ditë, i paepuni Teobaldo nuk u pa ma. Emri i tij u qarkue me aureolën e mitit: disa thanë se ai kishte fluturue si një zog, disa të tjerë tregonin se e kishte marrë djalli me vete, kurse një plak i dehun thoshte se e kishte pa sërish më vonë tek ngjitej mbi kullë. Kishte vikatë: “unë po fluturoj”, mandej kishte zbritë ngëc-ngëc shkallët dhe ishte larguar ngeshëm i hipun mbi një mushkë.

Egziston mundësia që Hezarfen Ahmet Çelebiu (1609 1640) nga Stambolli, të ketë qenë absolutisht i pari njeri që ka fluturuar në mënyrë të rregullt. Skicave të Leonardos, të cilat përbënin bazën e studimeve të tij, u bëri disa korrigjime të vogla, tue u frymëzue në parimin e fluturimit të shqiponjës. Për të regjistrue makinën e vet fluturuese, Hezarfen Ahmet Çelebiu bani nandë prova fluturimi, tue ba herë mbas here edhe përmirësimet e nevojshme Më në fund, në vitin1638 ai u hodh prej kullës së Galatas, e cila ishte 183 kambë e naltë, arriti me fluturue, për t’u ulë mandej krejt në mënyrë të rregullt në anën tjetër të Bosforit.

Por nji nga ngjarjet ma të mëdha të andrrës së fluturimit, mund të thuhet se ishte ajo e vitit 1783. Dy vëllezër që quheshin Jaques Etienne e Joseph Michel Montgolfier, pronarë të një fabrike letre, nji ditë vunë re sesi vallëzonin në ajër disa copa letrash, të shtyme nga masa e ajrit të nxehtë. Pikërisht ky ishte çasti kur atyre u erdhi ideja për të realizue eksperimentin e parë. Të dy bashkë ndërtuen nji kub prej mëndafshi, ndërsa nën pjesën e poshtme, të cilën e kishin lanë të hapun, dogjën një sasi letrash. Kubi u ngjit lart derisa preku tavanin. Me të njejtin parim ata ndërtuan një paralelopiped gjigand 800 m3. Në qershor 1783, kjo makinë pa pasagjerë u ngjit në 2000 metra naltësi, për të zbritë mandej 17 minuta ma vonë, dy kilometra larg vendit të nisjes. Ky lajm ngjalli interes të jashtëzakonshëm në tanë Francën, gja që i nxiti vëllezërit Montgolfier ta përsërisnin eksperimentin. Më 19 shtator 1783, të dy ata, në praninë e Luigjit XVI dhe të oborrtarëve të tij, ngritën një ballon me diametër 41 kambë, nën të cilën varën një kosh të madh me kashtë, ku vendosën si pasagjerë nji dash, nji gjel dhe nji rosë. Eksperimenti ia arriti qëllimit. Balloni u ngjit, u end nëpër qiell dhe e riktheu shëndoshë e mirë në tokë ekuipazhin.

Ky lajm u përhap në tanë botën dhe në nandor të vitit 1783, heronjtë tanë ishin gati me e lëshue ballonin me një ekuipazh njerëzor. Fatlumët ishin Francois Pilatre, nji mjek i ri nga Metz dhe markezi Francoise Laurent d’Arlandes, të cilët më 21 nandor, u ngjitën nalt me nji montgolfier (tashti nuk kishte arsye të quhej ma ballon) të ngjyrosur krejt në të kaltërt u nisën nga Bois de Boulogne, pranë Parisit, për t’u rikthye shëndoshë e mirë në tokë 26 minuta ma vonë, 8 km larg vendit të nisjes. Ky ishte fluturimi i parë njerëzor me ballon.

Mandej vijmë në Gjermani, tek Otto Lilienthal (1848 – 1896), i cili arriti ta përsoste makinën e fluturimit, tue sjellë idenë e përdorimit të krahëve, edhe pse në të vërtetë teorema e Bernoull, që është antenati i aerodinamikës, daton më 1738. Otto asht i pari që në një nga fluturimet e tij arrin me fluturue 350 metra në linjë horizontale, i mbartur vetëm nga pesha e ajrit. Falë kokëfortësisë së tij në të gjitha pikpamjet, ai arriti me realizue rreth 2000 fluturime, shpeshherë tue kalue nëpër rreziqe e mrekullina të mbijetesës. Në këtë mënyrë, dora-dorës, ai arriti me i përsosë krahët e makinës së tij fluturuese, tue i ba nji shërbim shumë të madh të ardhmes së aeronautikës. Më 1889 botoi nji libër mbi eksperiencat e tij, në të cilin na përcjell studime të bazueme mbi llogari të sakta, ku për herë të parë shfaqet randësia e profilit të krahëve. Më 19 gusht 1896, gjatë disa provave Otto rrëzohet në tokë, tue marrë plagë të randa. Ditën tjetër vdes.

Më 1903, vëllezërit Wilbur e Orville Wright, amerikanë, e shfrytëzuan ma së miri përvojën e lanë nga Otto Lilienthal. Mbasi i përsosën aparaturat e Otto-s, ata arritën me krye të parin fluturim në histori me një makinë të ushqyeme prej motorrit. Makina e tyne u ngrit në fluturim brënda 12 sekondave, në bregun e Kitty Hawk.

Këtu po e ndërpresim historikun e njeriut-fluturues, sepse tashma asht koha kur shpiken aeroplanët e parë. Fillon pra, epoka moderne e fluturimit, të cilën pak a shumë e njeh sejcili prej nesh.

Fluturizmi ose Preshfluturimi në kulturën shqiptare

Prorë kam ndi nji admirim të thellë për andrrën e fluturimit që e ka përshkue tejembanë egzistencën e njeriut në tokë. E përfytyrueme, e mendueme, e dëshirueme apo e delirueme, andrra e fluturimit ka egzistue gjithmonë. S‘ka qenë kurrë nji trill i pakuptimtë, nji mendjeshkrepje e beftë, diçka e atypëratyshme, por nji farë e madhërishme e mbjellë prej Hyut në zemrën e njerëzimit. Them njerëzimit dhe jo njerëzve, mbasi për të zgjuarit janë dy koncepte mjaft të ndryshme. Fjala „njerëzit“, nuk zgjon ndonji emocion të veçantë në lidhje me synimin kah kërkesat e epërme që çohen përmbi nevojat e përditshme të egzistencës apo mbijetesës fizike. „Njerëzim“ asht krejt diçka tjetër, sepse merr përsipër atributet, synimet, arritjet dhe kërkesat maksimale të species. E sikundër dihet, ata që (edhe pse në mes të errësinës, urrejtjes, injorancës luftnave, frustrimeve, etj) ia kanë dhanë të drejtën këtij njerëzimi për t‘u ndi ndopak krenar, kanë qenë sigurisht individët e veçantë, pra pakica. Të andërrosh me fluturue, përveçse nji nevojë instinktive për t‘u shfaqë ma nalt se të tjerët, qoftë dhe për nji çast, për t‘u ndi qënie e epërme dhe për t‘i pa të tjerët nga sipër, ka qenë mbi të gjitha nji shkrepëtimë e pastër idealiste; nji orvatje me u shkëputë nga e rëndomta, nga realiteti material, nga pikat e referimit, nji nevojë me u ndi përballë hapsinës. Mbi të gjitha, e besoj se këtu e ka bazën fryma e adhurimit me të cilën qarkohen individët-fluturues si me nji aureolë të ndritshme, ia vlen të përmendet përpjekja e ngulmët për t‘u shkëputë prej baltës. Po, po, ia vlen me të vërtetë të adhurohen ata njerëz që luftojnë me të gjitha forcat, tue sakrifikue gjithçka (pa përjashtue edhe jetën) vetëm për t‘u shkëputë nga balta, nga thirrja e saj kutërbuese…

S‘ka dyshim që gjithë pjesa tjetër e botës që nuk quhet Shqipni, asht përpjekë përgjatë tanë historisë së vet me fluturue, në të gjitha pikpamjet, e në të gjitha fushat e arritjeve njerëzore, por ne po përmendim vetëm kulturën, sepse ajo përban edhe objektin kryesor të këtij shkrimi. Nëse ia kanë dalë mbanë me krijue nji distancë të madhe prej nesh, kjo ka ndodhë për shkak të një sensi të fortë realist dhe të harmonisë së përkryeme mes qëllimit dhe energjive për ta përmbushë atë. Nuk i kanë dhanë vetes ma shumëë sesa kanë pasë takat, dhe u janë përmbajtë linjave zhvillimore të përvijueme prej pararendësve, tue u orientue gjithnji kah vlerat ma të mira. Godinën e tyne kulturore e kanë ndërtue me sakrifica, atdhetarizëm, idealizëm, pasion, etj, porse gjithnji e kanë vlerësue me nji gjykim të ftohtë dhe realist, gjith‘ tue ia dalë mbanë me fluturue në kuptimin e mirë të kësaj fjale. Me fluturue, ose me u përpjekë më fluturue, asht gja e randësishme, por çështja asht se me çfarë. Nëse e kemi ndjekur me vëmendje historikun e individëve-fluturues, do të kemi vu re se sejcili prej tyne u përpoq me fluturue me mjete, tue vu në rrezik edhe kokën, por jo me presh. Kjo që bajnë shqiptarët në përgjithësi, quhet preshfluturim, ose thanë në nji mënyrë ma të kulturueme, fluturizëm. Fluturizmi, rryma kulturore e botës shqiptare (në veçanti e Shqipnisë së kufinjve shtetnorë) ka nji larmi kaq të madhe manifestimesh, saqë unë mezi marr përsipër me i hedhë vetëm me i hedhë nji vështrim të përciptë.

Po të futesh në një bibliotekë shqiptare, e sidomos në bibliotekën kombtare, me takue ndokënd apo me pyetë për ndonji çështje, të ban përshtypje heshtja e thellë që sundon nëpër salla. Asht nji heshtje e plotë, e madhërishme e gati mistike, që të ngjall admirim e dashamirësi vërtetë njerëzore. Nëse përplasni njenën kambë në mënyrë të pavullnetshme, apo e çoni zanin përtej kufinit të durueshëm, do përballeni me dhjetra koka e vështrime që ju akuzojnë e që shprehin çudinë sesi vallë mund të egzistojnë ende njerëz që, përveçse ua çshenjtërojnë të tjerëve aktin e leximit, nuk kanë asnji haber se ç‘do të thotë kulturë. I keni vu re? Aty studiohet. Vërtetë është bukur kur sheh se ka njerëz kaq të përkushtuem, por çfarë lexojnë xhanëm? Historinë tonë të lavdishme? Cilën histori, sepse gjithë ç‘dimë për vetën, na e kanë thanë e po na e thonë të tjerët. Thuhet se jemi nji nga qytetnimet ma të lashta të Europës, por a mos vallë, këta njerëz të mirë do të na e provojnë këtë në mënyrë serioze. Studiojnë gjuhë? Dokumenti ma i vjetër i shqipes asht Meshari. Ja po shtyhemi deri nga mesi i shekullit XV, nëse mund të marrim në konsideratë ndonji shprehje liturgjike apo fjalorth të huaj, por kaq. Këta burra e gra heroina, a thue tash po munden me na shty edhe nja njiqint vjet ma ndej? Çfarë studiohet, filozofi? Pse a asht pa këndej pari ndonji filozof apo traktat. Traktat sidomos jo (kushedi, ai i Varshavës), por ndoshta traktor. Studiohet letërsia shqipe. Cila letërsi shqipe, se kjo që njohim deri më tash asht rrumpallë, rrokopujë dhe e pasistemueme nëpërmjet punimesh të mirëfillta shkencore. Flitet për shkrimtarë e poetë të mëdhenj, në nji kohë kur edhe ma moderni i tyne ka qenë ma së paku me 100 vjet vonesë. Dikush nga studiuesit i bie gozhdës e nji tjetër patkoit, porse të gjithë kanë qenë e kanë mbetë në nivelin shqyrtues të Byrosë Politike. Ndoshta studiohet muzika autentike shqiptare. Cila muzikë mor aman, sepse në ditë të sodit ajo nuk asht as muzikë, e as shqiptare. Autentike, po: amerikane, italiane, turke, greke, sllave. Meqë përmenda pak ma sipër Byronë, a thue studiohen shkencat politike? Më falni, zene se s’ e thashë, mbasiqë sot, në vitin 2004, ne nuk jemi ende në nivelin e pavarësisë së vitit 1912. Duem me u ba ma të mirë për me hy në Europë (qesharake), pra përkohësisht ma të mirë. Po mandej? Apo, varja! Ne nuk jemi vend komunist, socialist, demokratik, monarqik, nuk jemi tribu, nuk jemi indigjenë, aborigjenë, peshkaqenë, etj, por thjesht jemi. Jemi! Fantastike! Ky asht nji fillim i mirë. Apo studiohet bujqësi, blegtori, industri. Apo…lene fare më mirë!

Mandej i pyeta miqtë e mij, se tash sa vjet shqiptarët kryejnë marrëdhanie me bibliotekat, dhe ata, meqë e duen kombin e tyne trim dhe liridashës po aq sa unë, dhanë shifrën bujare 100. Tue pasë parasysh se ka popuj që studiojnë tash dhjetra shekuj, ky njiqindvjetësh nuk asht ndonji gja e madhe, por gjithsesi harku kohor i tre brezave dhe afati i mjaftueshëm për t’u shkëput nja dy a tri hapa prej llumit kulturor historik. Çdo punë, për t’u mveshë me kuptim, herë mbas here ka nevojë për rezultate pozitive. Cili asht pra, rezultati i dyndjes së shqiptarëve, apo ma mirë i studiuesve shqiptarë nëpër biblioteka. Pothuejse zero. Të gjithë flenë, brenda apo jashtë bibliotekave. Flenë, dhe në kohën e lirë llapin mbi randësinë e progresit. I vetmi rezultat asht se ne vijojmë me qenë populli ma injorant i Europës. Këtë nuk mundet me ma kundërshtue askush. Epoka e Preshfluturimit, Fluturizmi, si të doni, asht në zenitin e vet. Dalëngadalë e për bukuri të Zotit, koncepti apo kontracepti i shqiptarëve për kulturën asht kufizue vetëm tek muzika Këto ditët e fundit, në mjediset tona të entuziasto-komiko- patetike shtrohej dilema: Skenderbeu apo Anjeza? Për besë po rrija me frikë se po çohen ca tipa të kërleshun nga emocionet patriotiko-muzikore, apo ndonji ethedrejtues, e po ia hedhin Skanderbegut ndonji kavo çeliku në qafë apo në pallën e tij legjendare. Legjendare, pa thonjëza. Gjithë ato situata pompoze e solemne, mor burrat e dheut, a thue se me kaq ia hodhëm ditëve të vështira e batakut të injorancës mbi të cilin rrimë picingul. E mandej ca tubime të gjana nëpër do salla të mbushuna me njerëz të emocionuem nga ky sukses kombëtar, ku ata që e parapërgatitën këtë triumf mitologjik flasin me za të dridhshëm e të mbushun me nji humanizëm mistik, përloten e përqurren tue na premtue edhe suksese të tjera në të ardhmen. E mandej Naltmadhnia e tij Presidenti i Republikës Shqiptare që i pret si heronj kompozitorët e muzikantët e tekstaxhinjtë e figurat madhore të muzikës-pra kulturës- sepse e bamë marrëveshjen e fjalës-, fama artistike e të cilëve, për hir të së vërtetës duhet thanë se nuk e ka kapërcye asnjiherë as Kakavijen, as Hanin e Hotit, e as nji nga pikat tona kufitare. Nuk do ishte e drejtë të mendohej se unë personalisht jam kundër këtyne lloj suksesesh, qoftë dhe provinciale, por do të doja që së paku gjysma e parave që harxhohen për muzikën, të përdorej për fushat e tjera të artit dhe kulturës. Atëherë, në dashtë Zoti, e kemi ndonji shans me e ba ndonji hap para. E tash po më kujtohen edhe do idiotësina të tjera, tipike shqiptaro-postkomuniste: Mis Albania, Mis Shqipnia, e ku di unë. Gjithë ajo pare e marrë që harxhohet kotnasikoti, me të cilën do mund të baheshin plot punë tjera të mira vërtetë kulturore. Ja, ta zamë se ia arritëm qëllimit: bota e mori vesh se jemi popull i bukur, apo populli ma i bukur në botë. E mandej? Kur do vendosim ta bindim dynjanë se veç tjerash jemi dhe popull i mençem? Apo kjo nuk ka randësi. Kur do ta marrin vesh institucionet tona kinse të kulturës, opinioni ynë gjoja kulturor, se kultura asht nji koncept shumë-shumë i gjanë, jashtë të cilit rrezik nuk mbetet asgjë, asht ma së paku kujtesë historike shpirtnore e artistike, liri, integritet, mënyrë të menduemi, asht veçanësi, vetëdije, dinjitet. A mendoni se po luftojmë ndopak në mbrojtje të këtyne e vlerave e të shumë të tjerave, të cilat vetëm ata pak të mençem që ka ky vend i dinë? Nuk besoj. Mos jemi shndërrue në nji popull patetik thjesht për shkak të lirisë së frustrueme postkomuniste, apo ndoshta kurrë ndonjiherë nuk kemi pasë nji kulturë tonën, por kemi qenë prorë nji popull majmun? Këtë të fundit nuk duem e nuk duhet ta besojmë. Duhet thjesht të ndryshojmë. Patetizmi dhe mungesa e sensit realist nuk janë mënyrat e duhuna. Po, po. Hëpërhë,-e thashë edhe nji herë- Fluturizmi, apo Preshfluturimi asht në zenitin e vet

Fluturizmi, nji rrymë e re në letrat shqipe

Ceterum censeo Carthaginem esse delendam
(E megjithatë kartagjena duhet të rrënohet)

Fluturizmi, siç u muar vesh ma sipër, asht nji orientim kulturor i shtrimë në të gjitha fushat, e për rrjedhojë edhe në letërsi. Nji gja duhet sqarue: ma së pari egzistonte Preshfluturimi, i cili, si ndikim kulturor i ka rranjët në epokën e realizmit socialist, pa përjashtue ndonji linjë të hollë trashëgimie që vjen prej periudhash tjera historike. Por shpalosjen e plotë, me tanë hapsinën e vet patetike, ai e ban në ditët e sodit. Kështu ka ndodhë edhe me letërsinë.

Mundem me thanë se disa burra të mëdhenj të paraluftës së dytë botnore, patën fillue me ba nji punë kolosale sa i përket krijimit apo rikrijimit të fizionomisë sonë kulturore. Në letërsi, gjithashtu. Fishta, Mjeda, Poradeci, Koliqi, Kuteli, Migjeni, Asllani, etj, duhet të konsideroheshin e të trajtoheshin si etërit tanë letrarë. Shkrimtarët që erdhën mbas tyne, tamburxhinjtë dhe dallkaukët e Partisë, janë atvrasësit e parë. Absolutisht të gjithë! Kemi folë e stërfolë rreth letërsisë së “madhe” të realsocit. Nuk mund të gjëndet nji kazan plehnash ma kutërbues sesa realizmi socialist shqiptar. Pesëdhjetë vjet janë gati dy breza, pra mund të thuhet se letërsia shqipe do vijojë me mbetë e kompromentueme edhe për po kaq kohë. Realsocshkruesve që janë gjallë, u ka dhanë Zoti shëndet e vijojnë me shkrue, me na u imponue me gallavinat e tyne, me zanë postet-kyçe të kultures tënë (ata ose bijtë e tyne gjenetikë apo letrarë), me pasë pse jo edhe lexues, me na dhanë mend nëpër gazeta e tëvëra. Shkurt, me vijue me na e ba kakën në krye, si në kohë të Bacës, i cili edhe prej atje ku asht nuk resht së dërguemi direktiva. Nëse dikur këta mund të quheshin shkrimtarë që shkruenin me porosi, sot mund të quhen thjesht shkrimtarë të dobët. Mendoni se realsoci vdiq? As mos t’ju shkojë bira e mendjes, kur thonë në Shkodër! Ai u shndërrue në realizëm demokratik dhe në realizëm socialist të moderuem. Se e ka pasë thanë nji kimist i madh: Asgja nuk zhduket, nuk shkatërrohet, por vetëm transformohet. Realizmi demokratik ka pak ithtarë, të cilët ma së shumti kanë dalë nga shtresa e njerëzve aso kohe të ndrydhun. Këta janë njerëz që, jo për fajin e tyne, vijojnë me e nda botën në ne dhe ata. Të mësuem dikur me jetue për kunj të të tjerëve, tash ata shkruejnë për të njejtën arsye. Kaq për këta, sepse jeta e tyne ka mbetë peng e së shkuemes.

Të lezeçmit fare janë ata që bajnë pjesë në realizmin socialist të moderuem. Ma shumë se askujt, Fluturizmi u rri për shtat këtyne. Këta janë do tipa, më falni, këta janë ca djemka të lezeçme që kujtojnë se deti i letërsisë asht ba kos dhe rendin tue pasë në brez lugët që u ka dhanë Ismail Kadareja. Para tij janë hiç ma shumë apo ma pak se nxanës të bindun. Por janë njikohësisht dhe mirmidonët, paladinët dhe mbrojtësit e tij ma të paepun. Po u shave Kadarenë, u ke sha bastionin e fundëm të realizmit socilaist, pra s’ke ç’u ban ma tepër. Në kësi rastesh nevrikosen keqas, e mbasi bajnë pak pushim nevrikosen sërish. Kur e shohin se s’kanë ç’ bajnë, atëherë nevrikosen prapë. Kësisoj, do t’i shihni gjithmonë të nevrikosun. Bajnë shkrime nëpër gazeta, tëvëra e tërrtëvëra, ku flasin për mrekullitë e reja të Akil Kambëshpejtit të tyne, dhe në rastet kur ai nuk asht në Paris, i mblidhen rrotull si djemka të mira që janë. Asht i vetmi çast i prehjes së naltë, në të cilin ata nuk janë e nuk duhet të jenë të nevrikosun, sepse nuk do mund të përfitonin aq sa duhet nga mësimet e Mjeshtrit. Mjeshtri asht jeta e tyne. Një fjalë e tij i naltëson, një fjalë e tij i rropos. Çështje humori. Thuhet se në kohën e lirë merren edhe me letërsi, por druej se këto janë vetëm fjalë hallku. Dhe ajo që më rezulton vërtetë e çuditshme dhe do thoja tipike për mjediset letrare, asht rritja progresive e numrit të shkrimtarëve pa vepra. Biri botës del e flet për vlerat e veta letrare, por nuk ka as edhe nji vepër. Thashë vepër, se libra ka gjithkush. Lloqet duhen mbrojtë vepra e jo me lloqe të tjera.

Bukuri. Kohët e fundit, këta çuna me vullnet të fortë, por pa vepra e mbi të gjitha pa pikë talenti letrar, na paskan fillue me i dhanë vedit ma shumë sesa e kanë takatin. Paskan marrë nji truell letrar nga ai i letërsisë shqipe, na e paskan thur me nji gardh të fortë me thupra shkoze dhe na e paskan quejtë avangardhë. Pirolla u qoftë, por siç më tha nji burrë që u takon me të vërtetë letrave, edhe me ba nji gardh përsmari asht punë e zorshme, se ma avangardhë. Druej se atë copë tokë që kanë rrethue, tash po u duhet me e mbjellë me presh fluturues, sepse fatkeqësisht farë tjetër nuk po u gjindka në atë meranë e tyne. Dikush më sqaroi se u quejtke avanguardë e jo avangardhë, e kësisoj vendosa me iu propozue nji emën interesant: Fluturizëm, ose Preshfluturizëm. Asht thjesht nji propozim! Mos u nevrikosni!

E na qenkan ba do biseda nëpër gazeta e tëvëra e tërrtëvëra, e na qenkan ba do tubime tepër, po tepër serioze, e na paskan dalë me do konkluza e me do detyra shpie për të ardhme, e na qenka përgatitë nji patalok i mirë fluturimi- dihet se me çfarë- që do t’i hedhë matanë, s’dihet se ku, e na qenkan…e na paskan…e na shkruekan…e na thuekan. Tash s’ka mbetë tjetër veç me marrë lahutën e me i shti në zgurdhin e ndonji legjende. Avagardhë asht fjalë e madhe. Se ma, avanguardë. Kurrgja tjetër mos me qenë, avanguardë don me thanë liri, don me thanë shmangie nga e sotmja dhe propozim i nji rruge të re, don me thanë ndikim i fuqishëm, po tepër i fuqishëm në jetën kulturore të komunitetit e ma gjanë, don me thanë vepër, vepër artistike që shkundullon ndërgjegjet dhe shijet e mykuna estetike, don me thanë në fund të fundit revolucion. Don me thanë edhe shumë gjana të tjera, por nuk m’i nxen gazeta. Dhe avangardë kush?: këta djemka të lezeçme pa gjandrra hiopofize, që gjallojnë tue u ushqye me shkrofëtimat delirante të nji shkrimtari të lodhun si Kadare? Jo, bre! Ky qëndrim nuk quhet avanguardizëm, por Preshfluturizëm, e për të qenë pak ma i matun: Fluturizëm.

Vras mendjen se ç’do bahet me këto djemka, kur të mos e kenë ma Mjeshtrin (ta kemi sa malet, por jetë i thonë)! Si do t’u vejë filli? Kush do t’i mbrojë, kush do t’i trumbetojë si e ardhmja e letrave shqype (O shqype o zogjtë e maleve m’kallxoni)? Kush? Lundra e Kadresë po fut ujë ditë për ditë, e tash po vjen nji çast që ai vetë, Mjeshtri, për të shpëtue veten, do t’i flakë në fundin e këtij deti letrar që dhantë Zoti të mos bahet kurrë kos.

Fluturizmi në mbarë kulturën shqiptare, Fluturizmi në letërsinë shqipe asht në zenitin e vet. Le të shpresojmë që nji ditë do të priret kah perendimi.

Nuk ka komente: