10.4.08

Gruaja si planet

Asaj, me dashuri

Gruaja asht si toka. Si kjo tokë në të cilën jetojmë, si ky planet që vërtitet brishtësisht nëpër hapsinë, varun në fillin mes përkohësisë së gjorë dhe përjetësisë së madhërishme. Toka ka bukuri të larmishme e të mahnitshme që ndryshojnë në çdo pëllambë të saj, ka gjanat e veta të çuditshme shumë prej të cilave nuk do t‘i marrim vesh kurrë edhe pse gjallojmë në të, ka sekrete që s‘na asht dhanë e as thanë t‘i mësojmë, ka pyje e hapsina ku nuk ka shkelë kurrë kamba e njeriut, ka ujna të hareshme ku pasqyrohet dielli e qielli e tanë hapsina, ka hone e gremina të lemerishme që të kujtojnë fundin e jetës e të botës, ka rrëke e lumenj të nëndheshëm shushurimën e së cilëve përpiqesh më kot ta dëgjosh, ka relieve të çmenduna që kapërcejnë përfytyrimin tand e të bajnë me mendue se gjithçka asht e mundur, ka trillet e veta të panjoftshme e të pangopshme, ka emocionet e veta, andrrat, dhimbjet, deliret e dashunitë e veta, ka gjithçka që mund të mendojmë e të përfytyrojmë. Toka prodhon jetë.

Gruaja asht si toka.

Jetë e burim jete, hare e burim hareje, dhimbje e burim dhimbjeje, dhembshuri e burim dhembshurie, urrejtje dhe burim urrejtjeje, liri dhe burim lirie… Mendoni diçka të kësaj toke… Gjithçka… Asht në gruan. Në sytë e saj. Në sytë e saj ku derdhen lumenjtë e misterit e që mbartin të gjitha të mirat e të këqijat që kaplojnë botën. Gruaja nuk asht qiell. Gruaja nuk mund të jetë kurrë qiell në asnji nga kuptimet e mundshme. Ajo asht vetëm tokë, porse tokë e plleshme ku harliset e prekshmja, e dukshmja, e përkohshmja, e vdekshmja, dhe ku pyjet e iluzioneve të burrit mbeten përherë të virgjëra e të pakalueshme. Gruaja vjen. Gruaja kalon. Gruaja mungon. Por mbeten gjithnji në ajër e në mendje format e përndezuna të kurmit.të saj. Rrugët tona, të cilat fillojnë e mbarojnë në të, s‘janë gja tjetër veçse lakore të pafundme që vërtiten rreth vetvetes. Për gruan nuk egziston diç tjetër veç asaj që shihet, asgja veç të mundshmes, asgja veç të mbërritshmes, asgja veç të realizueshmes. Për të asgjë nuk është mister. Sepse misteri asht ajo vetë. Pa iluzione, pa andërrime (e nëse po, u përkasin vetëm sferës së të mundshmes), pa ideale apo trille të tjera tejlandore, ajo asht mbretëreshë e së dukshmes, e së mbërritshmes, e botës sonë të mugët tokësore e mbramësore, të perceptueshme prej shqisash. As mos e merr mundimin t‘i përshkruesh asaj nji botë që asht pasojë e përjetimeve tua të mbrendshme, nji botë që ti vetëm e ndjen, sepse ka me të kërkue prova rreth egzistencës së kësaj bote, ose thjesht ka me të vështrue me dhembshuri. Gruaja jeton dhe harliset nën diktaturën e egër shqisave. Ajo i shkon deri në fund kufinit të mundësive të veta, por as që përpiqet ta kapërcejë atë, sepse realiteti i saj asht këndej, në botën e prekshme materiale. Ashtu sikundër këpurdha mbin në trupin e pemës, po ashtu edhe gruaja ka mbi në brinjën e burrit. Nuk zotëron as forcë e as pushtet, por të dyja këto i arrin nëpërmjet hulumtimit të vëmendshëm që i ban dobësive të burrit; pra forca dhe pushteti i saj shtrin rranjët tek dobësia e burrit, apo tek humbja e ekuilibrit të tij. E pame me kujdes, gruaja nuk zotëron gja tjetër përveç aftësisë së riprodhimit, por kurrë nuk e kam kuptue se përse kjo cilësi e madhërishme grave u duket shumë pak. Po të mos e dija se Zoti i plotfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm do mund ta zgjidhte në shumë e shumë mënyra të tjera riprodhimin të jetës, do të kisha thanë se gruen e ka krijue si të keqen ma pak të mundshme. Vetëm tue besue se historia e bukës së pjekun asht tharmi e jo brumi, duhet të besojmë se historinë e botës asht gruaja ajo që e vendos. Nëse kalin e kapitun nga lodhja që tërheq karrocën në nji rrëmore të vështirë e pickon në qafë nji mizë, rezultati asht se ngarkesa mbërrin në majë, por janë muskujt e kalit ato që vihen në veprim e jo fuqia e mizës.

Gruaja asht si toka.

E madhërishme, dhe e vockël njikohësisht. Nëse banon brënda saj, e sheh veten udhëtar i hapsinave të papushtueshme, por nëse gjendesh jashtë saj, e vëren sesi fërgëllon e brishtë dhe e vockël në panoramën drithëruese të universit.

Nuk ka komente: