10.4.08

Ditët janë pela të bardha

Ditët janë pela të bardha e shterpa, pa shalë e pa ngarkesë, e ja pra një arsye pse s’duhet të presim ndonji gja të madhe prej tyre, përveç shkrofëtimës nervoze, e sidomos jargëve të argjendta që janë ftesa bujare për të marrë pjesë në gostinë shtazarake të së nesërmes. Pela që lëshohen turrevrap mbi shkretinën e bardhë të kohës, e cila i ngjan nji kujtese të papërdorun nga shkaku i pavërejtshëm i mungesës së jetës, por asht veç nji karusel a nji mulli ere që sillet rreth vetes tue mbllaçitë do tinguj të verdhë e të kalbun, si kashta e verës së shkueme. Bashkë me shkëndijat e nji zjarri në të shuem, vozitin nëpër ajër jonet e do zërave të largët, harrue prej fëmijërisë që gabimisht nxitoi të rritej. Dikush tha se me u rritë don me thanë me vdekë, e fill mbas këtyne fjalëve të urta, u kujtua se edhe vetë ishte i rritun! Ndonjiherë, kur je ma shumë andej se këndej, mundesh me i shquejtë të vdekurit që gromësijnë nga ngopja dhe flasin: thonë gjana të squeta, të cilat u mbruhen tek ajo punishte e ekzistencës së tyre që e ka pushtue hija madhështore e ditës së mbrame, do fjalë që askush nuk ua patë dhanë mundësinë me u thanë qysh në gjallje. Apo mos vallë janë ende gjallë e s’e dinë, sikundër ka njerëz që i rren mendja se janë gjallë teksa askush nuk ua thotë të vërtetën mizore? Njeriu që mendon se asht gjallë, duhet me i dhanë do prova bindëse gjallnie, por pikësëpari duhet të jenë gjallë ata që i kërkojnë këto prova. Por asht budallallëk të ndjehemi të sigurtë deri në këtë pikë, e kësisoj, prova e vetme mbetet gjetja e një pasqyre, ku fytyra jonë s’na merr leje për me rrëfye ngjyrën e vështrimeve të hedhuna mbi botën.

Kushdo e çkado na mashtron me sa ka mundësi: koha që hiqet osh nëpër hullitë e ftyrave tona të prarueme prej mahnitjesh idiote, pranvera e parakohshme që shterzon e shfryn me turinin prej lope të përjargun mbas mullarëve të reve dimnore, kujtimi i do ditëve të bukura që s’na paskëshin qenë ma shumë se cërrima e ziles së orës, e cila të dëbon me shqelma prej andrrës e të përplas në tokën e huaj të realitetit, baptima e hapave që veç largohen e grahmojnë tek nji kthesë, për me u rikthye në hullitë e do emocioneve të djeshme, shiu që kinse merr pjesë në vajtimin e ndonji dashurie të humbun, por që në fakt thjesht sajon paturpësisht ca pellgje të pistë për bretkosa që kanë harrue magjinë e shndërrimit në princesha, fytyra e asaj që bahet ajër dhe vijon me ajgëtue në peisazhin e kujtesës si bekim apo dënim për ndonjë mirësi të pavërejtshme apo për mungesë të vogël dhimbsunie njerëzore, korbat e zinj të fjalëve që s’di ku dreqin kanë mësue me gugatë si pëllumba e që duken prorë të bardhë e të llamburitës kur dalin nga goja e saj, frymëmarrja e ankthshme e rinisë e cila ia beh në të tashme si kamxhik vezullues për pelat e hazdisuna të ditëve që jetohen me vonesë.

Shtatë ngjyra e shtatë nota sajojnë shëmbëlltyrat e tingujt, figura e zëra, por harrohen nuancat, me mijëra e mijëra nuanca që vendosin ndryshimin mes mrekullisë e rëndomësisë, nuanca që herë mbas here ia zhvasin ndonji kindë perdeve të errëta të misterit që fërfëllojnë nga hukama e pafundësisë, misterit të gjesteve njerëzore që s’di pse e pandehim të zbuluem e të njohun. Tymi i arrogancës sonë të dijes s’lejon të shohim kurrgja. Ç’pandehim se jemi? A jemi? Ku? Veç Zoti asht e Dashuria. Apo vetëm Zoti. Apo vetëm Dashuria. E njëjta gja. Pashë një re të bardhë në horizont që bënte statuetën e bukurisë tande në sfondin blu, por nuk e dija se përbluante mbrënda vetes andrrën e paepun të shiut. Mandej e kundrojmë përtej xhamave tek bie me rrëshekë dhe nuk e dimë se mbas pak shtrëngata do t’ia behë e armatosun me arsenalin e tmerrshëm të gjesteve njerëzorë që i patëm mendue të njoftun e të ditun.

Mendoni nji panterë prej drite që vrullon mes ajrit të përgjumun të mbramjeve. Asht ajo. E bukur dhe e paepun, përtej fjalëve e heshtjes, përtej gjesteve e vështrimeve, përtej kangës së nji kanarine të çlirueme prej kafazit, përtej kërkërimës së lehtë të nji trandafili që çel në agim. Ok, mbramja duket ende larg, e di, por fytyra e saj e prarueme prej aureolës së agimit, më kujton se jam shty bukur thellë në oqeanin e pafundëm të kohës, teksa dritat e bregut janë katandisë në një kujtim të largët e mizor, sidomos mizor. Po, po, ajo asht në zemrën time, por zemrën nuk di ku e kam. E tash vdekja dremit pranë meje si nji maçok i ngopun që pret ta zgjojë veç uria, po prapëseprapë asht e gjatë kjo jetë, krejt si nji rrugë që vdaret në mjegullinën e horizontit, e në fund të udhëtimit na pret veç zhgënjimi. Në krye të rrugës zemra na pati thanë do fjalë të vërteta e të pazâshme, por mjerisht tingulli i tyne ndihet vetëm kur kemi mbërritë në fund: MOS U NIS!

Por ne jemi nisë. Dhe nisemi gjithmonë. E ndigjojmë atë za e prapë nisemi. Jemi të vdekshëm dhe kaq të dashunuem mbas gjanave të vdekshme, të përkohshme, kalimtare, mbas nji puthjeje, nji buzëqeshjeje, nji fshikjeje si pa dashje me majat e gishtave, ca fjalësh që na thuhen në vesh si pëshpërimë, do kujtimesh të bukura që mbase s’kanë ekzistue kurrë, nji jehone të largët që na kumton jetën e pajetueme, nji shajnie vezullore e cila beh mbas vështrimit të dy syve shkrepëtitës që të thonë: NISU!

Po, ditët qenë pela të bardha e shterpa që shkonin revan, por njëra prej tyre të solli ty, gja që mjaftoi për t’u dhënë kuptim edhe të tjerave, që deri në atë çast patën sjellë veç zhurmë e pluhur e trishtim. E ja tek vërej se ditët që vijnë njera mbas tjetrës mbartin secila shëmbëllimin tand, arsye e mjaftueshme për me besue se nuk janë ma shterpa, por thjesht të bardha, si drita që mbështjell hanën e fytyrës tande.

Por mos beso! Gjithçka kalon. Kalojnë edhe pelat e bardha të ditëve që mbartin shëmbëllimin tand. E tash, i fundmi shëmbëllim i joti asht nji fantazëm e ngrysun bardh e zi, e cila sjell lajmin e kobshëm të vdekjes së ngjyrave. Buzëqeshjet, vështrimet, fjalët, frymëmarrjet, të gjitha në count-down.

Mbramjet më ndryjnë në guvën e errët të nji mungese, së cilës as mundem e as dua t’ia gjej përmasat apo daljen. Ndigjohen vetëm cijatjet e lakuriqëve dhe të ndjesive që japin shpirt te kambët e mia, e fill mandej nji za i shuem që më pëshpërit: MOS U NIS!

Nuk ka komente: