10.4.08

Rrëfenja e bukës së djegur dhe kritika e lajkave

Një shënim i mirë kritik buron nga cilësia e mirë e leximit dhe jo nga miqësia me autorin

Po fillojmë me një rrëfenjë të Lindjes, gjith’ duke besuar se kjo është mënyrë e mirë për ta ilustruar një shkrim të këtij lloji: Një njeri, të cilin e kishte zënë befas një dhimbje e fortë barku, shkoi për t’u vizituar tek mjeku. Ky e pyeti se çfarë kishte ngrënë vaktin e fundit. “Bukë të djegur.”-ia ktheu i sëmuri. Pasi dëgjoi këtë përgjigje, mjeku nisi t’i kontrollonte sytë. Pacienti u çudit dhe, duke menduar se mjeku nuk e kishte dëgjuar mirë, e sqaroi edhe një herë se problemin e kishte te barku e jo te sytë. “Në të vërtetë, ti problemin e ke te sytë”, iu përgjigj mjeku, “sepse po t’i kishe sytë në rregull, nuk do të kishe ngrënë bukë të djegur!”.

Para ca javësh, në faqen kulturore të po kësaj gazete, përmes një shkrimi të titulluar “Yndyra estetike në promovimet e librave” kam paditur pallavrat dhe marrëzitë që thuhen rëndom nëpër përurimet e librave në vendin tonë. Aty kam përmendur emrat e disa prej shkrimtarëve shqiptarë, të cilët në mënyrë krejt absurde dhe qesharake, lavdëronin autorë fare të panjohur, ose autorë që nuk kanë asfare zë në realitetin e mirë të letërsisë shqipe. Në çastin kur e padita këtë fenomen të shëmtuar, nuk ndjeva kurrfarë keqardhje për ata lloj shkrimtarësh. Kurse tani, po! Ndjej aq keqardhje, sa po e shqyrtoj seriozisht edhe mundësinë e të kërkuarit ndjesë. Rrethana lehtësuese e tyre është se, duke qenë ish-shkrimtarë të ish-realizmit socialist, ata vijojnë të ecin në udhën e tyre denatyrale. Ngaqë, mirë apo keq, ata nuk po e tradhëtojnë më veten, të cilën e kanë tradhëtuar një herë e mirë që në krye të herës dhe, po vijojnë të bëjnë atë që janë mësuar të bëjnë. Dhe, në një fare mënyre duhen t’i kuptojmë: janë tepër pleq për të ndryshuar! Por, kulmi është kur vërejmë se yndyra e promovimit është duke u shfaqur vendçe edhe nëpër mjekrat e shkrimtarëve e kohës së re! Ndaj, në një rast të tillë, mëkat të merremi me të vjetrit, sepse ata e kanë ngrënë tashmë livadhin e tyre të letrave.

Një pjesë e shkrimtarëve mbasviteve ‘90, të cilët s’janë të rinj më as në moshë e as në rravgime letrare, bëjnë pak a shumë të njejtën gjë, por në një mënyrë shumë të organizuar. Ata po bien telef duke lavdëruar njëri tjetrin nëpër gazeta e revista, përmes ca shkrimeve gjoja kritike, të cilat në të vërtetë s’kanë asfare lidhje me përmbajtjen apo vlerat e teksteve që marrin në shqyrtim. Kësisoj përpiqen të sajojnë dofarë shkrimtarësh pa vepër. Mes tyre nuk funksionon parimi: “Është shkrimtar filani dhe e kam mik”, por “Filani është miku im, e kësisoj, pse të mos jetë shkrimtar!”. Kënaqen, vetëkënaqen, gazmohen e orgazmohen duke lavdëruar njeri-tjetrin, deri sa lodhen. Kur lodhen, kërkojnë zëvendësues, pra ca hyzmeqarë të tjerë që të shkruajnë për ta.

Dhe gjenden. Këta hyzmeqarë janë gjithmonë gati, sepse nuk kanë ndonjë punë apo qëllim apo ambicje vetiake në letërsi dhe lirinë e tyre nuk dinë me çfarë ta mbushin. Qëndrimet apo erektimet e tyre estetike, prapseprapë nuk kanë fare lidhje me tekstin letrar, sepse në fakt s’janë tjetër veçse dofarë panegjirikësh të lyrshëm e të shpifur, që kutërbojnë lajkatim e servilizëm. Kemi të bëjmë me mjaft raste flagrante që paditin rëndë për mungesë të theksuar dinjiteti letrar dhe estetik, sidomos në kurriz të atyre që i shkruajnë. Hyzmeqarë dhe mercenarë në Shqipëri ka patur përgjatë çdo epoke të historisë, por së paku ata luftonin për të realizuar mbijetesën, sigurinë. Pra, nëqoftëse e trajtojmë letërsinë për një çast si religjion, mund të themi se ata hyzmeqarë dhe mercenarë luftonin e luftojnë për ideale laike, thjesht për të siguruar mbijetesën krenda llojit, kurse skota e hyzmeqarëve dhe mercenarëve që përbëjnë objektin e këtij shkrimi, u përkasin fushës së letrave. Mbijetesa e tyre ka lidhje të drejtpërdrejtë me personalitetin. Letrarë të “rëndësishëm” që ramdorësojnë njëri-tjetrin dita-ditës në mënyrë të ndërsjelltë.Filani shkruan për Fistekun. Fisteku shkruan për Akshin, i cili nga ana e tij shkruan për Ukshin. Ky i fundit shkruan për të tre. Të katërt së bashku shkruajnë për një të pestë. Mandej të pestët që shkruajnë për një të gjashtë. Kohë më kohë shfaqet ndonjë i shtatë, ndërsa shtatëmbëdhjetë të tjerë presin urdhërin se kur e për kë do të shkruajnë. Në të vërtetë të gjithë janë letrarë të pavarur! Dua të them: të pavarur nga letërsia! S’janë as prozatorë e as poetë, por thjesht ca të burgosur në kohë, të cilëve u ka mbetur ora në fillimshekullin e njizetë. Një gjë bën përshtypje gjithmonë: e keqja ka aftësi të jashtëzakonshme organizuese. Sikur e mira të kishte gjysmën e kësaj aftësie, do të kishim nivele të shkëlqyera në të gjitha fushat, përfshi edhe letërsinë. Falë hyzmeqarllëkut dhe mercenarizmit të ndërsjelltë, kanë nisur të artikulohen andej-këndej ndoca emra letrarësh që u mungon vepra për të qenë shkrimtarë të mirëfilltë, pra letrarë të tipit “Më shumë pupla se mish”, kur thotë populli. Meqë jemi te hyzmeqarllëku, kurrë s’e mora vesh se ç’janë ca petritë e ca balilë që shkruajnë me një përkushtim të llahtarshëm skllavëror nëpër gazeta, për të zbërthyer veprat gjeniale të Filanit e Fistekut, të Akshit e të Ukshit. Vetë s’rezulton të jenë diçka, por u telikosën duke u munduar të lartësojnë ca të tjerë. Mirë, more aman, por, dikush që s’është asgjë për veten e tij, si mund të na thotë se vlen ky apo ai? Kushti i parë, është: TË JESH. Kusuri është rrjedhojë.

Në faqet kulturore e një gazete të përditshme, më qëlloi të lexoja një shkrim, gjoja kritikë për një vëllim me vjersha, që, po ta çosh deri në fund bëhesh diabetik, ose më së paku të vjen të vjellësh nga yndyra dhe sheqeri. Tamam bakllava! Ja ç’thotë njëri letrar për tjetrin: “Ky vëllim dëshmon shumë më tepër se një arritje poetike. Ai trupëzon në shqip sistemin e poezisë së sotme. Antologjik në shprehje, pafundësisht i pasur në teknika dhe risi, absolutisht i plotë në zbulesat artistike, autentik e vetëmjaftues, ky vëllim të bën krenar për origjinën e gjuhës që trashëgojmë ne si lexues të tij...”.

Kam përshtypjen se çdo kritik normal, nuk do ngutej të bënte cilësime të tilla as për poetët e mëdhenj bashkëkohorë anglosaksonë. Ndoshta as për Danten! E kjo thjesht për faktin se përdoren ca terma që i shkojnë për shtat veç Zotit të madhëruar. Sepse vetëm Zotit mund t’i atribuohen terma të tillë si: Absolutisht, Autentik e Vetëmjaftues, etj. Por, e bën Albani për Arianin! Se, harrova! Meqë u botua Strabizmi, tashti do të kem një arsye më tepër për ta dashur gluhën tënë! Ma së pari, o kritik, mëso si shkruhet mirë shqip, sepse që t’ia lëvdosh dikujt arritjet në përdorimin e gjuhës, duhet që dish ta shkruash vetë. Ke shkruar gjysmë faqe gazete dhe e ke qelbur me fjalë të huaja. Psh: “…shprehje maksimaliste e vizionit erudit!!!” Ose “…që lejon rupturat e imazhit!”, ose: “e vendosur në funksion të maksimalizimit të efektit letrar!”. Ç’janë këto fjalë, o trim???

Më poshtë akoma, shikoni se ç’fjali të tmerrshme shkruan kritiku! Një fjali që, me siguri as vetë nuk e kupton dhe beson: “Thelbësisht, poezia e z. Leka të kujton përmasën e madhe të poezisë botërore, qoftë në mënyrën sesi temat e vogla rriten brenda një vargu me shpejtësinë e resë, ashtu edhe për nga stilizimi poetik i vargut, ku planet e poshtme (të nëndheshme) të leximit i mbivendosen transparencës kuptimore në mënyrë harmonike dhe plotësuese, duke gjeneruar shumë më tepër fuqi komunikimi sesa mbart potencialisht një përmasë letrare si poezia.”.

Shkrimi është i mbushur përplot me tituj e grada e zbulesa e risi e madhështi e bukuri e mahnitje e lajle-lule që i kushtohen autorit të librit. Pyetje: A e ka idenë djali se cilat janë përmasat e poezisë botërore, apo ia fut kot?! E di ai se ka poetë si psh, John Ashbery, Seamus Heaney, Ammons, etj.? Apo i njeh e s’i duken kurrgjë përpara Arianit!

Si ka mundësi të shkruhet me mendjelehtësi të tillë? Si ka mundësi të lëshohen cilësimet, epitetet, emërtimet, e lajkat në këtë farë feje!

Tashti do shqyrtojmë ato që shkruan Agroni për Arianin: “Shkrimtar me dhunti të rralla gjuhësore e vizionare…”

Siç e shihni, Agroni e vlerëson shumë gjuhën shqipe, e cila këngëzuaka më së miri në fjalën poetike të një tjetri! Gjë e mirë kjo, por siç sipërthamë, t’ia lëvdosh gjuhën shqipe dikujt, duhet ta dish ta shkruash mirë për vete. Por, a e di? Jo, sigurisht, sepse edhe ky e shqep me fjalë të huaja tekstin e tij kritik. Shembuj: sakraliteti, fatidika, inkarnimi, reinkarnimi, paravolia, konstruktimi, perspektiva, sugjestive, ambienti, i hiperndjeshëm, triumfi, riciklimi, inkoshiente, perfekte, etj. Të lumtë! Kështu e shkruan shqipen mbas 500 vjetësh një pasardhës i Gjon Bdek Buzukut!

Ja ç’thotë Agroni mbi prozën e Arianit: “Triumfi i prozës së Arian Lekës është romani ‘Gjarpëri i shtëpisë’, një roman-metaforë me një linjë muzikore gati heroike, i mbajtur në notat e epërme të oktavës, një pikënisje nga “do”-ja e epërme që mbaron po e tillë, sikur të ishte një simfoni vagneriane.”. “Rrezja e komunikimit rritet nga UN-i te ATI te BIRI deri të Shpirti Shoqëror…”. Me një fjalë, simbas tij, proza e Arianit na hap portat e Qiellit e na mundëson takimin me Zotin. Kurse për shpëtimin e shpirtit s’na thotë ndonjë gjë! Më jepet të besoj se po e ka fjalën për Shën Agustinin, Svetenborgun, Silesiusin, po kurrsesi për Arianin.

Ja ç’thotë më poshtë për poezinë: “Megjithatë, arti poetik, në atë hipostazë që ka realizuar vetveten në këtë libër të Arian Lekës, përveç mundësisë pamore, ofron njëherësh edhe mundësi të tjera të panjohura ose më saktë, të pazbuluara më parë në lirikën tradicionale dhe bashkëkohore shqiptare.”.

Thotë plot gjëra të tjera rreth poezisë së Arianit, të cilin veç tjerash e quan edhe “poet që thyen kanone” por s’na e tregon se si e qysh i thyen.

Shkrime të tilla prej këtyre letrarëve të ekzaltuar qarkullojnë dita –ditës, por unë ofrova thjesht nja dy shembuj, të cilat them se mjaftojnë sa për të krijuar një ide rreth dëmit që mund t’i shkaktojë kritikut ngrënia e buks së djegur.

Po e mbyllim këtë vërejtje tonën, duke shtuar se, një shënim i mirë kritik është kurdoherë rrjedhojë e një leximi të mirë, të ndershëm e sidomos të pandikuar nga fakti se autorin mund ta kesh mik ose jo. Kritikë e mirë do të thotë cilësi e mirë leximi, e jo broçkulla e jo lajka e jo panegjirizma të tipit “bjeri t’i biem, se Shqipëri hesapi është këtu!”. Sepse, thënien “E dua Platonin, por më shumë dua të vërtetën”, nuk mund ta katandisësh në “E dua Platonin dhe pikë!”.

Nuk ka komente: